Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar disa ndryshime thelbësore në rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit”, që lidhet me funksionimin e bankave tregtare në vend.
BSH vë theksin në forcimin e raportimeve periodike në pika që kanë rrezikshmëri të lartë, ku futja e re është ajo e kursit të këmbimit.
Në të do të paqyrohen rregullisht të dhënat e përgjithshme të institucionit bankar, raportimi i pozicionit valutor neto, raportimi i kërkesës për kapital për pozicionin neto të hapur valutor, rreziqet e tjera, si dhe kërkesa për kapital.
“Ekspozimet, të cilat sipas kuadrit rregullator në fuqi, konsiderohen të pambrojtura ndaj luhatshmërisë së kursit të këmbimit, do të pasqyrohen në atë klasë ekspozimi në të cilën do të përfshiheshin sikur të mos e kishin këtë veçori, pavarësisht se në rregullore, të tilla ekspozime trajtohen në klasën e ekspozimeve me rrezik të lartë”, përcakton një prej ndryshimeve të sapomiratuara.
Ndryshimet e tjera përfshijnë kërkesën për kapital të lidhur me rrezikun e kredive, tregut dhe rrezikun operacional.
BSH ka miratuar edhe disa ndryshime në rregulloren Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së shoqërive të kursim-kreditit dhe të Unioneve të tyre”, ky synohet shmangia e përfshirjes së individëve dhe fondeve nga aktivitete të jashtëligjshme.
Sipas ndryshimeve, pjesë e dokumentacionit që do t’u kërkohet subjekteve që aplikojnë për licencë do të jenë vërtetimet për secilin anëtar themelues të SHKK-së se personi nuk është në ndjekje penale, nuk është në gjykim për vepra penale, nuk është i dënuar penalisht (nga Ministria e Drejtësisë) dhe personi nuk është objekt i procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm (nga Zyra e Përmbarimit Gjyqësor).
Dokumentet e lartpërmendura duhet të jenë lëshuar jo më herët se tre muaj nga data e paraqitjes së aplikimit në Bankën e Shqipërisë.
SHKK-të janë shoqëri ku anëtarët mund të vendosin depozita, si edhe të përfitojnë kredi apo edhe shërbime të tjera pagesash. Këto shoqëri janë eficiente për fermerët dhe qytetarët në zona rurale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



