Gazeta Si – Sjellje e papranueshme. Ky është qëndrimi i lojtarëve të kombëtares spanjolle ndaj presidentit të Federatës, Luis Rubiales. Një qëndrim zyrtar. Kapiteni i Spanjës, Alvaro Morata, bashkë me të cilin ishin edhe Rodrigo, Azpilikueta dhe Asensio, lexoi nga grumbullimi i kombëtares një komunikatë, ku gjithë kombëtarja ishte në mbështetje të kolegeve që fituan Kupën e Botës pak kohë më parë.
Kombëtarja spanjolle ka dalë hapur kundër presidentit të Federatës, Luis Rubiales. Qëndrimi i saj vjen në vazhdën e polemikave që shpërthyen pas puthjes së Rubiales ndaj lojtares Jeni Hermoso në momentin e ceremonisë së medaljeve dhe trofeut.

“Para së gjithash, duam të shprehim edhe një herë krenarinë dhe përgëzimet tona të sinqerta për kombëtaren e femrave, për fitimin e titullit kampion bote në Sidnei, – shkruhej në tekstin e lexuar nga Morata. – Një arritje historike domethënëse, që do të shënojë një para dhe pas në futbollin femëror spanjoll.
Një frymëzim për shumë femra, me një triumf me vlera të mëdha. Për këtë duam të shprehim solidaritetin tonë ndaj lojtareve, të cilat panë që të zbehej suksesi i tyre. E konsiderojmë një sjellje të papranueshme nga ana e z.Rubiales, i cili nuk u soll në lartësinë e institucionit që përfaqëson. Futbolli spanjoll duhet të jetë një motor respekti, frymëzimi, gjithpërfshirjeje dhe diversiteti, duhet të jetë shembull me sjelljen brenda dhe jashtë fushe”.
Spanja po përgatitet për dy ndeshjet e ardhës kualifikuese të Euro 2024 ndaj Gjeorgjisë dhe Qipros.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




