Futboll

Interi i bën edhe dhuratën e fundit trajnerit Inzagi, vjen Klasen nga Ajaksi

Gazeta Si – Interi ka bërë edhe goditjen e fundit para mbylljes së merkatos verore. Bepe Marota ka bërë ‘pazar’ në Holandë, tek Ajaksi, ku ka mbyllur marrëveshjen për të veshur zikaltër mesfushorin Davi Klasen.

Bëhet fjalë për një lojtar që përshtatet mirë në disa role. Klasen, i vitlindjes 1993, kishte kontratë me Ajaksin deri në qershor të 2024-ës. Mesfushori do të kryejë vizitat mjekësore dhe do të firmosë kontratën dyvjeçare me Interin. Ai do të kompletojë një repart, ku ka marrë konfirmimin Sensi, pas dështimit të pistës Samarxhiç. Po ashtu, do të qëndrojë edhe futbollisti shqiptar, Kristjan Asllani.

Davi Kalsen, lojtari i ri i Interit. Gazeta Si, 1 shtator 2023

Interi tashmë është i kompletuar, me alternativa në çdo rol dhe gati për të synuar titullin e yllit të dytë. Inzagi ka në duar një skuadër të fortë, pavarësisht humbjeve që sollën largimet në sulm të Lukakut dhe Xhekos, si dhe ato të Brozoviç në mesfushë dhe Onana në portë.

Puna e njerëzve të merkatos zikaltër ishte gati perfekte dhe Klasen është copëza e fundit e një grupi që duket se nuk ka defekte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë