Gazeta Si – Kristjan Asllani mund të lëvizë nga Interi në këto orë të fundit të merkatos. Destinacioni? Mesfushori shqiptar do të qëndrojë në Serinë A, por me fanellën e Sasuolos, ku luan edhe Nedim Bajrami. Për momentin nuk ka asgjë zyrtare, por diçka po lëviz.
Interi kërkon nga Sasuolo mesfushorin Maksim Lopez, ndërsa klubi emilian dëshiron sipas “La Gazzetta dello Sport” një lojtar nga skuadra e trajnerit Inzagi. I preferuari është pikërisht futbollisti shqiptar, që në dy javët e para të kampionatit nuk ka luajtur asnjë minutë.

Asllani mund të shkëmbehet me Lopez, por ai do të shkojë në formë huazimi te Sasuolo. Lojtari 21-vjeçar ka nevojë të luajë dhe te Sasuolo do të ketë më shumë hapësirë. Nëse lëvizja do të kryhet, ai do të luante përsëri me Bajramin, si më parë tek Empoli.
Tani mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë konkretisht deri në mbylljen zyrtare të merkatos, nga e cila kanë mbetur vetëm pak orë. Interi mund të vendosë gjithashtu të blejë Lopezin, kartoni i të cilit vlerësohet në rreth 20 milionë euro, pa larguar asnjë lojtar. Në këtë rast Asllani do të mbetej zikaltër, në pritje të shansit të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




