Politike

Beleri: Tre arsyet pse Rama foli për ‘Kathimerinin’ dhe pse po gënjen

Gazeta Si - Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ka reaguar për herë parë ndaj intervistës së dhënë të kryeministrit Edi Rama për gazetën "Kathimerini".

Sipas tij, "intervista e vetëkërkuar e kryeministrit Edi Rama për "Kathimerini", dalja e katërt publike e tij për rastin tim në 12 ditët e fundit, kur ndërkohë ai mbajti një heshtje peshku për 90 ditë rresht që nga arrestimi im, më çon në tre përfundime kryesore".

LEXO EDHE:
Gazetari grek i kujton Arta Vorpsin/ Rama 'fal' Belerin: Jo zgjedhje në Himarë pa mbylljen e gjyqit

"Së pari, filloi të kuptojë, pasi Athina e detyroi të mungonte në foton e madhe të liderëve të Ballkanit Perëndimor, pasojat e veprimeve të tij në procesin e anëtarësimit por edhe pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë në përgjithësi. Asnjëherë nuk është vonë. Së dyti, vendosi të tregojë pendesë për sulmin publik shpifës dhe abuziv ndaj meje para zgjedhjeve por duke e bërë këtë artificialisht dhe me kujdes për të shkëputur përndjekjen time nga sulmi i tij dhe për të treguar se është lider autocensurues. Shpresoj që në një të ardhme të afërt të gjejë staturën politike për të bërë mea culpa, por ta nënkuptojë dhe ta vërtetojë në praktikë", shprehet Beleri.

Ndërkohë që ai paralajmëron që do t'i përgjigjet Ramës po në gazetën greke, duke i premtuar se do të flasë për gjëra të rëndësishme.

"Ai vazhdon të shtrembërojë realitetin dhe të gënjejë. Shpresoj që ai të ketë rënë viktimë e dezinformimit dhe ta kuptojë herët, përpara se pasojat për Shqipërinë, Bashkinë e Himarës dhe mua personalisht të bëhen të pakthyeshme", theksoi Beleri.

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për të përditshmen greke, la të hapur mundësinë që të mos shkohet në zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Himarës, gjersa gjykata të japë një vendim përfundimtar për fajësinë apo pafajësinë e Belerit. Kjo u pa si një tërheqja nga ana e Athinës zyrtare, e cila e ka cilësuar të padrejtë arrestimin e të zgjedhurit nga radhët e opozitës më 14 maj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë