Gazeta Si – Muaj më parë kishin rënë alarmet e para, më pas një hetim kundërzbulimi me kapjen e një celule pro-ruse, ndërsa tani sulmet në linjën hekurudhore.
Objektivi është Polonia, vendi nëpër të cilin kalojnë shumica e furnizimeve të NATO-s të destinuara për në Kiev.
Gjatë fundjavës, rreth njëzet trena u vonuan ose u detyruan të ndalojnë për shkak të ndërhyrjeve në rrjetin e komunikimit të PKP-së, hekurudhave polake.
Episodi i parë ndodhi natën mes të premtes dhe të shtunës, kur dikush sulmoi sistemin e radios PKP në veri-perëndim të vendit, pranë qytetit të Szczecin, duke lëshuar një sinjal “stop”, i cili shkaktoi ndalimin dhe vonesën e trenave.
Operacioni i të dyshuarve do të ishte favorizuar nga mungesa e mbrojtjes së rrjetit dhe u krye – sipas disa ekspertëve – me një pajisje që kushtonte disa dhjetëra euro. Sipas PKP-së, qarkullimi ka rifilluar pas disa orësh.
Në ditët në vijim sulmet do të vazhdojnë edhe në rajone të tjera, pa shkaktuar megjithatë ndërprerje në trafikun hekurudhor.
Sipas mediave lokale, përveç transmetimit të sinjalit “stop”, punonjësit polakë të hekurudhave mundën të dëgjonin himnin kombëtar rus dhe një fjalim të presidentit Vladimir Putin.
Tani, policia e Varshavës ka arrestuar autorët e dyshuar të sulmit: ata janë dy shtetas polakë të moshës 24 dhe 29 vjeç, sipas asaj që u deklarua nga zëdhënësi i policisë së Bialystok, një qytet verilindor jo shumë larg kufirit me Bjellorusinë, ku u arrestuan. Në banesën e tyre janë konfiskuar edhe disa pajisje radio.
“Abw”, shërbimi inteligjent polak, ka njoftuar një hetim që nuk përjashton asnjë skenar. “Ne e dimë se përpjekjet për të destabilizuar shtetin polak janë duke u zhvilluar prej disa muajsh” nga “Federata Ruse në bashkëpunim me Bjellorusinë”, tha zëdhënësi Stanislaw Zaryn, sipas të cilit sulmi, “deri në një farë mase destabilizoi trafikun hekurudhor, por nuk shkaktoi rrezik për shëndetin ose jetën e pasagjerëve.
Zaryn saktësoi gjithashtu se, për momentin, nuk ka asnjë sinjal që tregon një lidhje midis sulmit dhe dy daljeve nga binarët e trenit që ndodhën ditët e mëparshme, pa shkaktuar viktima.
Në mars, Polonia njoftoi se kishte identifikuar një rrjet në territorin e saj që punonte në shërbim të Moskës.
Ishte një operacion i organizuar nga Gru-ja, inteligjenca ushtarake e Putinit, e cila kishte rekrutuar nga distanca të paktën nëntë të rinj përmes kanaleve në Telegram.
Ata ishin refugjatë ukrainas, me origjinë zakonisht nga zonat lindore, të cilët kishin rënë dakord të bashkëpunonin pa bindje ose, me shumë mundësi për para.
Djemtë në fakt ishin tërhequr nga oferta e parave, shuma të vogla, por të vazhdueshme të dërguara në mënyrë të sigurt.
Në fillim u duhej të kufizoheshin në gjeste të vogla, si shkrimi i fjalive kundër Kievit në mure, apo vendosja e fletëpalosjeve propagandistike.
Ishte hapi i parë: merrnin jo shumë – 10 euro për një shkarravitje në mur – dhe u vunë në provë për detyrat më të vështira.
Pasi u krijua rrjeti, i ndarë në celula të vogla secila me referencën e vet, GRU-ja kaloi në fazën e dytë, kushtuar mbikëqyrjes së ndihmës së NATO-s drejtuar territorit ukrainas.
Në fakt, makina gjigante logjistike e koordinuar nga NATO është zhvilluar në Poloni, me qindra mijëra tonë materiale të shkarkuara në aeroportin Rzeszow, më pas dërguar në rrugë me kamionë dhe përgjatë linjës hekurudhore.
Spiunët u udhëzuan të vendosnin kamera të vogla video, të mundësuara nga panele diellore, të afta për të filmuar autokolonat, me të dhënat, të cilat më pas u transmetuan nëpërmjet Wi-Fi në “stacionet online”, ku rusët kishin akses.
Zbulimi i një prej aparateve – i cili ndodhi pothuajse rastësisht – i lejoi kundërzbulimit polak të zbulonte përgjegjësit me një hetim klasik policor që çoi në arrestime.
Plani kishte parashikuar një fazë të tretë, shumë më të rrezikshme: atë të sabotimit për të penguar kalimin e pajisjeve perëndimore të destinuara për forcat e Zelenskit.
Kërcënimi, sipas burimeve të besuara në gazetën amerikane “Washington Post”, megjithatë, u neutralizua me kohë.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



