Futboll

Zyrtarizohet Dinamo City, klubi prezanton projektin dhe stafin

Gazeta Si – Klubi i Dinamos ka prezantuar sot zyrtarisht projektin e ri të quajtur “Dinamo City”. Ka një ndryshim të stemës dhe fanellës, ndërkohë që presidentit Adrian Bardhi i janë bashkuar edhe tre aksionerë të rinj, që janë Genc Mata, Edmond Shahini dhe Ergys Agasi.

Ka bërë prezantimin edhe trajneri italian Luixhi Di Biaxho, që ka gati një muaj që ka nisur punën. “Është një sfidë, më bindi projekti dhe tani objektivi është ta çojmë Dinamon në maja. Shon shumë entuziazëm dhe tani na mbetet të punojmë fort. E di që ka disa skuadra më të mira se ne, por besoj se për pak kohë do të jemi më lart”, – tha trajneri Di Biaxho mes të tjerash. Në stafin e tij bën pjesë edhe ish-lojtari i Kombëtares, Ledjan Memushaj.

Klubi blu ka prezantuar sot edhe drejtorin sportiv Haris Fakiç dhe lojtarët e rinj, si Fatjon Andoni, Lorenco Vila, Baton Zabërgja, Veton Tusha, Bekim Rexhepi dhe Blend Krasniqi. Me projektin e zyrtarizuar tashmë pritet që Dinamo City të jetë faktor i rëndësishëm në futbollin shqiptar, si vite më parë.

Ka pasur zëra për spostimin e ekipit kryeqytetas në Durrës, por selia e tij mbetet në Arbanë, ku sapo ka përfunduar kompleksi i ri. Merkatoja ndërkohë pritet të dhurojë surpriza te blutë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë