Gazeta Si – Jemi në ditët e fundit të merkatos dhe një nga temat më të përfolura mbetet ajo e sulmuesit Romelu Lukaku. Belgu është një problem për Çelsin, që së fundi duket se është bindur për ta lëshuar edhe në huazim ish-sulmuesin e Interit.
Një huazim me detyrim blerjeje. Ky është një skenar që bën të lumtur si Juventusin, ashtu edhe Romën, përveç disa klubeve saudite, që prej kohësh po monitorojnë situatën. Për Juventusin mbetet gjithmonë problemi i shitjes së Vlahoviçit. Kjo është nyja që bardhezinjtë duhet të zgjidhin, por duhet ende kohë dhe Lukaku duket se është mërzitur.

Big Rom tani kërkon të transferohet në Romë, nën urdhrat e Mourinjos dhe shok skuadre me Marash Kumbullën.
Çelsi është bindur ta largojë më çdo kusht lojtarin, ai nuk stërvitet me skuadrën dhe siç ka pohuar edhe trajneri Poçetino, “asgjë nuk ka ndryshuar për të”. Lukaku mbetet në shitje dhe ai vetë nuk kërkon të shkojë në Arabi. Formula e huazimit me detyrim blerjeje pëlqehet më shumë nga Juventusi dhe Roma, gati ta rikthejnë në Serinë A.
Me Juventusin veçanërisht është diskutuar prej kohësh për një shkëmbim të mundshëm me Vlahoviç, që nuk u realizua kurrë. Tani fiton kuota kandidatura e Romës, për të cilën po shtyn më shumë edhe vetë sulmuesi. Sipas ‘Telegraph’, i lodhur nga pritja e Juventusit, ia ka bërë të qartë Çelsit se dëshiron të shkojë te Mourinjo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




