Futboll

Ballkani një hap larg fazës së grupeve, djemtë e Ilir Dajës çmendin ‘Fadil Vokrrin’

Gazeta Si – Ballkani ka vërtetuar për të disatën herë se është një ekip vërtet me stof europian. Djemtë e Ilir Dajës kanë zhvilluar një ndeshje fantastike në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ku kanë mundur 4-1 bjellorusët e Bate Borisov, ekipi që eliminoi Partizanin nga Championsi.

Me këtë fitore kampionët e Kosovës janë vetëm një hap larg grupeve të Ligës së Konferencës për herë të dytë radhazi. Mjafton të mos humbin me më shumë se 2 gola diferencë në ndeshjen e kthimit. Dhe për më tepër Ballkani ia ka arritur me mungesa të rëndësishme, siç janë Zyba dhe Emërllahu, si dhe pas shitjes së sulmuesit kryesor Albion Rrahmani në Rumani.

Ballkani duke festuar nje gol. Gazeta Si, 24 gusht 2023

Fitorja ishte më e bukur dhe shijoi më shumë për tifozët kosovarë, pasi erdhi me përmbysje. Bate shënoi e para që në minutën e 10-të, por Bajram Jashanica barazoi që në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë skenë e rrëmbeu Bleart Tolaj, autor i dy golave të tjerë për Ballkanin. Në minutën e parafundit Thaqi realizoi edhe golin e 4-t për kosovarët, duke ngritur peshë tifozët në ‘Fadil Vokrri’.

Dy skuadra e tjera shqiptare që marrin pjesë në ‘Play-off’-in e Ligës së Konferencës, Partizani dhe Struga, janë mundur sot me të njëjtin rezultat, 1-0. Kampionët e Shqipërisë u mundën nga Astana në Kazakistan, ndërsa ata të Maqedonisë së Veriut nga islandezët e Brediablik.

Trajneri Ilir Daja është shumë pranë thellimit të rekordit të tij: pjesëmarrjes së 3-të në fazën e grupeve të një kompeticioni europian. E arriti fillimisht me Skënderbeun në Ligën e Europës, kurse sezonin që shkoi me Ballkanin në Ligën e Konferencës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë