Ne rrjet

‘Nazisti’ dhe krahu i djathtë Utkin, truprojat, veterani i Afrikës: kush janë viktimat e tjera të rrëzimit të avionit

Ishin dhjetë pasagjerë të regjistruar në bordin e “Embraer Legacy 600”, i cili u rrëzua të mërkurën në rajonin Tver ndërsa po fluturonte midis Moskës dhe Shën Petersburgut: shtatë pasagjerë, dy pilotë, një stjuardesë

Gazeta Si – Lista u publikua të mërkurën vonë në mbrëmje në Telegram Rosaviatsija, aviacioni i Moskës. Janë dhjetë pasagjerë të regjistruar në bordin e “Embraer Legacy 600”, i cili u rrëzua të mërkurën në rajonin verior Tver, ndërsa fluturonte midis Moskës dhe Shën Petersburgut: 7 pasagjerë, dy pilotë, një stjuardesë.

Më i njohuri është themeluesi i Wagner-it dhe ish “kuzhinieri i Putinit”, Yevgeny Prigozhin, për zhdukjen aktuale të të cilit (a ishte ai vetëm i regjistruar në listën e pasagjerëve dhe më pas u fsheh?), shumë vëzhgues ngrenë dyshime. Por kush ishin të tjerët?

Dmitry Utkin

Numri dy i Wagner, Dmitry Utkin

Vdekja e parë e konfirmuar nga autoritetet, edhe para se të njihej trupi i Prigozhinit, ishte zëvendësi i tij.

Dmitry “Wagner” Utkin, mercenar i Wagner dhe numri dy i organizatës ushtarake. Fotot e tij, me tatuazhe SS në pjesën e qafës, qarkulluan shpejt. Dhe falë tij brigada private “Wagner” mori këtë emër.

Faqja e pavarur “Meduza” publikon menjëherë një portret të saktë të tij. Emri i koduar “Wagner”, i zgjedhur për simpatitë naziste dhe më pas kaloi për të emërtuar të gjithë trupin e mercenarëve.

Utkin iu bashkua organizatës në vitin 2013. Para kësaj, ai ishte nënkolonel në një brigadë të forcave speciale në GRU, një shërbim federal i frikshëm i inteligjencës në Rusi.

Ai lufton përkrah Asadit në Siri, si pjesë e “Korpusit Sllav”, një grup mercenarësh rus. Kthehet në Moskë në tetor 2013, pas disa muajsh.

Por largohet shpejt: për në Krime dhe më pas për në Donbas. Në Donbas, ai drejton një detashment të ish-ushtarakëve, tani mercenarë të quajtur Grupi Wagner.

Është viti 2014. Më pas kthehet në Siri. Dalja e parë publike: në vitin 2016, në Kremlin, në mesin e “Heronjve të Atdheut”. Ai gjithashtu shfaqet dukshëm në pjesëmarrjen e Wagnerit në pushtimin e Ukrainës.

Dhe në krye të kolonës së armatosur që marshoi drejt Moskës në fund të qershorit ishte me shumë mundësi ai, Dmitry Utkin.

Katër njerëzit kryesorë të Brigadës Wagner

Në të njëjtin avion, përveç komandantit dhe zëvendësit të tij, ishin edhe katër figura kyçe nga “Shtabi i Përgjithshëm” i Wagner-it.

Emrat e tyre janë: Valery “Rover” Chekalov, Evgeniy “Makarych” Makaryan, Sergey Propustin dhe Aleksandr “Tot” Totmin.

Propustin dhe Chekalov duket se janë dy “mbrojtësit” kryesorë të Prigozhin, në krye të truprojës së tij personale.

Faqja ukrainase “Myrotvorets”, e cila përditëson listat e “armiqve të shtetit” që përfshijnë mercenarët Wagner, jep moshat dhe disa tipare biografike të të gjithëve.

Valery Chekalov

Valery Chekalov, aksioner dhe krahu i djathtë

Valery “Rover” Chekalov ishte, sipas vëzhguesve të ndryshëm, zëvendësi “de fakto” i Prigozhinit në Wagner dhe kreu i shërbimit të sigurisë së grupit.

Ai ishte nën sanksionet e SHBA-ve për “veprim në emër ose për llogari të Prigozhinit” dhe për lehtësimin e “dërgimeve të municioneve në Federatën Ruse”.

Sipas ekipit të inteligjencës me burim të hapur në X @Alleyesonwagner, ai ishte aksioner në “Evropolis”, kompania që operonte në Siri në emër të Wagner dhe kishte bërë marrëveshje fitimprurëse nafte me qeverinë siriane, si dhe kishte prokuruar armë dhe pajisje për Wagner. Për grupin ushtarak, Chekalov ishte gjithashtu kreu i logjistikës.

Evgenij Makarian

Truproja “Makarych”

Yevgeny “Makarych” Makaryan, 38 vjeç, ishte një luftëtar në Wagner dhe, sipas disa burimeve ruse, truproja e Prigozhinit.

Kanali popullor rus “Telegram Brief”, raporton se ai iu bashkua Wagner-it në mars 2016, duke marrë emrin “Makar” ose “Makarych”.

Ai thuhet se ishte pjesë e Detashmentit të 4-të Sulmues Wagner në Siri, i cili u vu nën zjarr nga avionët amerikanë gjatë angazhimit të janarit 2017 pranë Khashamit. Pati edhe periudha të gjata të kaluara gjithashtu në Republikën e Afrikës Qendrore.

Sergey Propustin

Propustin, Totmin dhe Matuseev – luftëtarë dhe truproje

Sergey Propustin, i lindur në 1979-ën, i pamartuar, nga Rostovi, i stërvitur si skaut dhe granatahedhës, ishte një nga dy “truprojat” e Prigozhinit, së bashku me Aleksandër “Tot” Totmin, përveç moshës së të cilit – 31 vjeç, me origjinë nga Altai – nuk ka shumë informacione.

Totmin, me sa duket edhe truproja i Prigozhin, dyshohet se ka luftuar në Sudan. Për Nikolai Matuseev dihet pak.

Nuk është përfshirë në listën zyrtare të Wagner. Megjithatë, “Brief” raportoi se një burrë me të njëjtin emër thuhet se iu bashkua Wagner në janar 2017, duke iu bashkuar të njëjtës njësi si Makaryan në Siri. Prandaj ai kalon për një veteran sirian.

Aleksandr Totmin

Fati i trishtuar i ekuipazhit

Në fund ekuipazhi: komandanti Aleksei Levshin, 51 vjeç, bashkë-piloti i tij Rustam Karimov, 29 vjeç dhe stjuardesa Kristina Raspopova, 39 vjeçe. Më shumë se pasagjerët e tjerë, viktima të punës.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë