Gazeta Si – Partizani është shumë afër realizimit të një ëndrre: grupeve të Ligës së Konferencës. Kampionët e Shqipërisë ndodhen në Kazakistan, ku nesër luajnë ndeshjen e parë të ‘Play-off’-it ndaj Astanës dhe trajneri Zoran Zekiç ka dalë përpara gazetarëve. Ai ka vlerësuar kundërshtarin, por beson se të tijtë do të bëjnë mirë ndaj kazakëve.
“Presioni mbi Astanën? Ne kishim të njëjtën situatë para ndeshjeve me klubin nga Andorra, por futbolli është futboll. Astana është favorite, megjithatë shpresoj që skuadra jonë të paraqitet më mirë.

Ndeshjet tona të fundit me Valmieran nuk ishin të lehta. Nga ekipi kundërshtar njoh Marin Tomasov, e kam trajnuar në Kroaci dhe kam kryqëzuar rrugët me të. Njoh gjithashtu edhe Lonçar dhe portierin Çondriç.
Për Partizanin është e rëndësishme të luajë si skuadër. Nesër duhet të luajmë me përqendrim dhe qetësi.
Astana ka eksperiencë në Europë, është e fortë. Dua të përmend po ashtu edhe tapetin e veçantë të stadiumit të Astanës. Ne nuk kemi shumë eksperiencë në kompeticionet europiane, por jemi shumë të motivuar.
Jemi të përgatitur mirë dhe shpresoj që skuadra të bëjë mirë. Kam njohuri mjaftueshëm rreth Astanas, kam ndjekur ndeshjet ndaj Dinamo Zagreb dhe Ludogorets. Partizani është një klub i madh, shumë tifozë e mbështesin ekipin tonë në Shqipëri. Do ta shihni stadiumin tonë dhe tifozët tanë”, – ka thënë trajneri Zekiç në konferencë shtypi.

Partizani nuk ka të gatshëm për ndeshjen e nesërme Mba dhe Mensah të dëmtuar, Atanasoskin të skualifikuar dhe Da Silvën të pezulluar nga klubi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




