Gazeta Si – Kryeministrja Giorgia Meloni tha se ndiente “turp” për rastin e faturës së papaguar të katër turistëve italianë në një restorant në Berat të Shqipërisë.
“Italia që dua të përfaqësoj nuk është një komb për të cilin flitet jashtë për këto gjëra, që nuk respekton punën e të tjerëve”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.
Për këtë arsye, shtoi kryeministrja, “i kërkova ambasadorit që të shkonte për të shlyer faturën, të cilën e pagova personalisht. Por edhe kjo ka krijuar polemika në Itali, nga një opozitë që duket se preferon një tjetër imazh të Italisë”.
Në një reagim zyrtar rreth mesditës ambasada italiane bëri të ditur se me porosi të Melonit ishte paguar fatura e turistëve italianë.
Por ky veprim nxiti reagimin e opozitës në Itali e cila hodhi akuza që ishin përdorur paratë publike. Përmes një reagimi të dytë, ambasada italiane në Tiranë sqaroi dje se paratë ishin të Melonit. Kujtojmë se fatura kushtonte 80 euro.
Pak ditë më parë, një video bëri xhiron e rrjetit, ku shfaqeshin katër të rinj italian, teksa largoheshin me vrap nga një restorant në Berat, pasi nuk kishin paguar faturën e ushqimit që kishin konsumuar.
Pamjet u bënë publike nga vetë restoranti në rrjetet sociale, ku krahas videos shkruante: “Stafi ynë i uron këtyre “zotërinjve” italianë pushime të mbara dhe me lekët e PAPAGUARA në restorantin tonë bëjnë diçka të mirë!!!”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



