Gazeta Si – Një jetë përrallore, përtej çdo imagjinate, e pret Nejmarin në Arabinë Saudite, ku sapo ka firmosur dhe është prezantuar tek Al Hilal. Ai ka zgjedhur një ‘pension të artë’, duke hequr dorë në moshën 31-vjeçare nga futbolli prestigjioz dhe kompetitiv.
Shifrat dhe kushtet e siguruara nga braziliani për dy vitet e ardhshme të lënë pa fjalë. Për të llogaritur me saktësi se sa do të fitojë Nejmar për dy vitet e ardhshme, është gati e pamundur. Edhe me makinë llogaritëse në dorë. Mes pagës fikse dhe variabël, llogaria në bankë e sulmuesit do të rritet në mënyrë të frikshme, duke prekur majat që sot i ka arritur vetëm Kristiano Ronaldo.

Al-Hilal i garanton një pagë më të ulët se ajo e portugezit tek Al-Nasr. Nejmar do të marrë 80 milionë euro në vit, me mundësinë për ta dyfishuar lehtësisht këtë shifër me bonuset: shpërblimet për objektivat si skuadër dhe personale, si dhe me akordet komerciale. E thënë më thjeshtë, ylli brazilian do të çojë në shtëpi rreth 320 milionë euro për 24 muajt e ardhshëm. Por jo vetëm kaq.
Arabët kanë shkuar më tej për të bindur Nejmarin që të transferohej në shkretëtirë, ku do jetë shok skuadre me Milinkoviç-Saviç, Ruben Neves dhe Kulibali. Shifrës së përmendur më sipër i shtohet bonusi prej 80 mijë eurosh për çdo fitore.
Nejmar do të përfitojë 500 mijë euro për çdo postim në Instagram, ku promovohet kampionati saudit. Pastaj janë edhe privilegjet e tjera, mes të cilëve një avion privat, që lojtari mund ta përdorë pa limit. Rezidenca e sulmuesit ka më shumë se 1000 metra kuadratë, me një park privat, personel shërbimi në dispoziocion 24 orë, kuzhinier personal dhe shoferë privatë.
🎬 “O talento maravilhoso… que atrai a atenção de todos” @neymarjr 💙#نيمار_هلالي #الهلال pic.twitter.com/TTzADrVGJJ
— نادي الهلال السعودي (@Alhilal_FC) August 15, 2023
Sipas burimeve ende të pakonfirmuara, Nejmar do të ketë edhe një kopësht të vogël zoologjik me kafshë ekzotike. Këto priviliegje nuk do t’i shijojë vetëm lojtari, por gjithë familjarët e tij dhe miqtë që mund ta vizitojnë.
Qeveria saudite ka bërë edhe një përjashtim për brazilianin, që më parë e ka bërë vetëm për Kristiano Ronaldon. Nejmar do të jetojë bashkë me të fejuarën Bruna Biankardi në një shtëpi, edhe pse nuk ka bërë celebrim. Por ka nga ata që shprehen me bindje se të gjitha këto janë vetëm një pjesë e asaj që i është premtuar Nejmarit për të lënë Europën dhe për të shkuar mes deveve.
Janë të rezervuara shumë detaje që kanë të bëjnë me akordet komerciale dhe publicitare që futbollisti ka firmosur me qeverinë. Një jetë përrallore në kuptimin e vërtetë të fjalës. Mjafton që ai të “fërkojë llampën” për të pasur çdo gjë që dëshiron.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




