Futboll

Mesi i pandalshëm, çon Inter Majemin në finale. Çmimet e biletave deri në 1000 dollarë

Gazeta Si – Më shumë se 20 mijë spektatorë, çmime të shtrenjta biletash dhe një tjetër gol i argjentinasit në gjysmëfinalen kundër Filadelfias. Në tregun sekondar biletat janë shitur deri në 1000 dollarë.

Kristiano Ronaldo po shkëlqen në Arabi, por edhe Leo Mesi po bën të njëjtën gjë në SHBA. Argjentinasi vazhdon të shënojë dhe Inter Majemi vazhdon të fitojë. Me një gjuajtje nga 25 metra, ylli i Mls kontribuoi në fitoren 4-1 ndaj Filadelfias, që do të thotë kualifikim në finalen e ‘Leagues Cup’ (turneu me skuadrat më të mira të Mls dhe kampionatit meksikan).

Mesi feston golin e 9-te ne 6 ndeshje. Gazeta Si, 16 gusht 2023

Për Mesin është goli i 9-të në 6 ndeshje me skuadrën e re. Edhe këtë herë prania e tij la shenjë sa i takon publikut: në ‘Subaru Field’ ishin 20 mijë spektatorë dhe biletat u shitën deri në 1000 dollarë. Në finale Inter Majemi do të ndeshet me Nashville.

Pas ndeshjes Mesi shkëmbeu fanellën me kolegun argjentinas Julian Karranza, më pas ai nuk foli në intervistën tradicionale, por bëri një postim për 483 milionë ndjekësit e tij në Instagram. “Ia dolëm të shkojmë në finale! Tani mungon vetëm hapi i fundit”, – shkruante Mesi.

Edhe tifozët e Filadelfias shpërthyen kur Mesi doli në fushë, më shumë akoma kur ai shënoi. Argjentinasi festoi me vrapimin e tij klasik dhe pastaj me grushtet lart. Për Inter Majemin shënuan edhe Zhordi Alba, Josef Martinez dhe David Ruiz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë