Gazeta Si – Çështja Milan-Broja tashmë është bërë më serioze se kurrë më parë. Klubi italian kërkon patjetër një lojtar që të luajë në krah të Zhiru dhe zgjidhja mund të vijë përsëri nga Çelsi. Broja është kandidati kryesor për të veshur fanellën kuqezi të Milanit sezonin e ri.
Armando Broja ka debutuar me Çelsin në mars të 2020-ës, duke zëvendësuar pikërisht Oliver Zhiru, të cilin së shpejti mund ta ketë sërish shok skuadre. Hugo Ekitike është profili tjetër që po ndjek Milani këto ditë, por francezi kushton shumë. Klubi në këtë moment po arsyeton për të bërë zgjedhjen më të mirë.

Në listën e shkurtër të sulmuesve Broja është në ‘pole position’. Milani ka marrë informacione nga Çelsi, që për momentin ka dhënë përgjigje negative. Klubi londinez po vlerëson të ardhmen e futbollistit shqiptar të vitlindjes 2001, trajneri Poçetino kërkon të shohë si do të shkojë merkatoja në hyrje deri në fundin e saj.
Për të njëjtën arsye Çelsi nuk i ka hapur rrugën shitjes së Brojës tek Uest Hemi, klubi që prej kohësh e kërkon me ngulm sulmuesin kuqezi. Broja, autor i 21 golave në 91 ndeshje si profesionist, mes Çelsit, Viteshes dhe Sauthamptonit, ku ka qenë i huazuar, sapo ka lënë pas dëmtimin e pësuar dhjetorin e kaluar. Ai është i uritur për të luajtur në vazhdimësi dhe në nivel të lartë.
Prandaj Milani mund të jetë një zgjidhje e mirë për të, një huazim me të drejtën e blerjes do të ishte formula ideale që do të bënte të lumtura të gjitha palët. Ditët e ardhshme do të tregojnë, nëse mes klubeve do të ketë një tratativë të mirëfilltë, apo jo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




