Gazeta Si – Fitore me përmbysje e Partizanit në fushën e Valmieras në Letoni. Të kuqtë humbisnin 1-0 pas pjesës së parë, ku pësuan një gol nga distanca, por në të dytën shënuan dy herë me Carën dhe Rrapajn, duke e mbyllur me fitoren 1-2 aktin e parë të turit të 3-të kualifikues të Ligës së Konferencës.
Kundërshtari ishte realitivisht i dobët, edhe pse arriti ta gjente golin i pari. Në pjesën e dytë Partizani bëri diferencën, madje mund të kishte shënuar më shumë gola. Tedi Cara humbi një rast flagrant, para se të barazonte shifrat me një gjuajtje të saktë në zonë, pas krosit nga e djathta.
Rrapaj u ndihmua edhe nga portieri kundërshtar në rastin e golit të dytë të Partizanit. Gjuajtja nga distanca e vlonjatit ishte në mes të portës, por portieri i Valmieras humbi ekuilibrin. Trajneri Zekiç vendosi të linte në stol brazilianin Da Silva dhe Hadroin, ndërkohë që humbi edhe Mba për dëmtim në pjesën e parë.
Me këtë fitore rriten ndjeshëm kuotat për kualifikimin e Partizanit në fazën e ‘Play-off’-it, ku të kuqtë, sipas shortit, do të ndeshen me humbësin e çiftit Astan-Ludogorets. Ndeshja e kthimit me Valmieran luhet pas një jave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




