Futboll

Revoltë në Angli kundër shtesave të gjata. Guardiola: Do luajmë deri më 8 të mëngjesit

Gazeta Si – Ndeshjet e para të Championship, duke ndjekur rregullat e reja, kanë kaluar 100 minutat, duke krijuar polemika. Reagimet vijnë edhe nga protagonistët kryesorë të Premier Ligës, duke përfshirë edhe De Bryjne apo Guardiolën.

Për trajnerin spanjoll të Mançester Sitit, ndeshjet “kështu do të zgjasin deri më 8 të mëngjesit”. Për Kevin De Bryjne, kjo situatë nuk ka sens: “Pas një muaji do të ndryshojnë mendim për këtë gjë që nuk i pëlqen askujt, as arbitrave”.

De Bryjne, mesfushori belg i Mançester Sitit. Gazeta Si, 9 gusht 2023

Për tifozët, tabela e arbitrit të 4-t, që tregon minutat ekstra të një ndeshjeje, është një çështje që duhet vërshëllyer. Futbolli anglez është kompakt kundër shtesave të gjata, si ato të stilit të Botërotit që kishte refuzuar pas Katarit, por që ka nisur t’i përdorë në këtë prolog të sezonit 2023-24.

Ato 13 minuta shtesë që u dhanë në ‘Community Shield’, me Arsenalin që barazoi në minutën e 101-të dhe më pas mundi me penallti Mançester Sitin, janë vetëm maja e ajsbergut. Në javën e parë të Championship ndeshjet kanë kaluar kufirin e 100 minutave në total, duke nervozuar lojtarët, trajnerët, arbitrat dhe tifozët.

“Nëse luajmë vërtet 15 minuta ekstra çdo ndeshje, do të jetë sikur të shtojmë një pjesë suplementare te secila, – ka thënë De Bryjne pas humbjes me Arsenalin. – Fola edhe me lojtarët e Arsenalit, edhe me arbitrat: askush nuk e do këtë rregull, por tani është dhe nuk mund të bëjmë asgjë.

Nuk do të habitesha, nëse një ndeshje zgjat edhe 25 minuta më shumë. Jemi vetëm në javën e parë dhe mendoj se situata do të ndryshojë pas jo më shumë se një muaji”.

Futbolli anglez po u nënshtrohet rregullave të reja, të vendosura që në mars nga ‘International Board’. Arbitrave u është kërkuar të shtojnë kohën ekzakte që është humbur për festimet e golave, ndërrimet, dëmtimet, penalltitë, kartonët e kuq. Të gjithë kampionatet angleze duhet të përshtaten me atë që ndodhi në Botëror.

“Askush nuk u ka kërkuar mendim lopjtarëve dhe trajnerëve, ndaj dhe është më mirë të mos e them atë që mendoj realisht, – ka pohuar Guardiola. – Imagjinoni një ndeshje që del 4-3, me të gjitha ndërrimet: përfundon më 8 të mëngjesit, nëse rikuperojmë gjithë kohën e humbur”.

Nje arbiter sinjalizon shtesen ne Angli. Gazeta Si, 9 gusht 2023

Edhe Varane, mbrojtës i Mançester Junajtid, ka mbajtur qëndrim në rrjetet sociale kundër rregullave të reja. “Javën e kaluar kishim një takim në federatë, ku na shpjeguan rregullat e reja, – ka shkruar francezi. – Ne lojtarët, bashkë me trajnerët, prej kohësh kemi bërë të ditur se po luhet shumë, se kalendari është i ngjeshur dhe se kjo ndikon në shëndetin fizik dhe mental të atyre që luajnë. Pavarësisht kësaj, për sezonin e ri kanë vendosur për ndeshje më të gjata. Dhe lojtarët kanë më pak emocione, sepse nuk dëgjohen”.

Java e parë e futbollit anglez ka konfirmuar gjithsesi se shtesat e gjata e kanë arritur objektivin. Zgjatja e kohës së ndeshjes e ka çuar kohën efektive afër kuotës ideale të 60 minutave, që shumë e urojnë. Në Championship, League One dhe League Two, 17 nga 35 ndeshjet e luajtura kishin një kohë efektive prej të paktën 60 minutash.

Në Botërorin e Katarit koha efektive mesatare ishte 58’04”, kundër 54’52” e Premier Ligës 2022-23. Më shumë kohë efektive do të thotë megjithatë edhe ndeshje më të gjata. Finalja e ‘Community Shield’ zgjati 106 minuta (pa penalltitë), 17 nga 35 ndeshjet e javës së parë të Championship dhe League Two kaluan kufirin e 100 minutave. Në sezonin 2022-23 ndeshjet mesatarisht zgjatën 98’27” kundër 101’22” të Botërorit të Katarit.

“Duhet të mësohemi, duhet të pranojmë faktin se tani ndeshjet zgjatin të paktën 100 minuta”, – ka thënë Guardiola. Janë rregulla të reja, por për momentin nuk i pëlqejnë askujt. Dhe Premier Liga ende nuk ka filluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë