Gjeorgjia kujtoi sot 15 vjetorin e luftës së saj pesëditëshe me Rusinë, që çoi në pushtimin e një të pestës së vendit të Kaukazit Jugor nga forcat pro-ruse.
Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili, e quajti Rusinë “agresore” më 8 gusht, në 15-vjetorin e luftës mes dy shteteve për rajonin e shkëputur.
Rusia dërgoi mijëra trupa në Gjeorgji më 8 gusht të vitit 2008, pasi Tbilisi nisi një operacion ushtarak në shkallë të gjerë në Osetinë Jugore ndaj separatistëve, të cilët kishin granatuar fshatrat gjeorgjiane në rajon.
“Ne e kemi ditur për një kohë të gjatë se Rusia është agresore, e kemi ditur dhe tani edhe e gjithë bota e di”, tha Garibashvili për gazetarët.
Qeveria e Garibashvilit është kritikuar nga opozita se ka prirje pro-ruse.
Rusia shkatërroi ushtrinë e vogël të Gjeorgjisë më 2008, duke pushtuar territorin gjatë pesë ditëve luftë. Më pas, presidenti i atëhershëm i Francës, Nicolas Sarkozy, ndërmjetësoi një marrëveshje armëpushimi.
Ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, që autorizoi veprimin ushtarak më 2008, mbrojti veprimet e Moskës përmes një deklarate të lëshuar në përvjetorin e kësaj lufte.
“Ushtria jonë shpejt dhe në mënyrë të ashpër ndëshkoi nacionalistët arrogantë për pesë ditë”, tha ai përmes deklaratës së publikuar në rrjetet sociale.
Ai po ashtu kritikoi Perëndimin për mbështetjen e presidentit të atëhershëm të Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, duke ngritur paralele me mbështetjen që Perëndimi i jep Kievit gjatë pushtimit rus, që ende po vazhdon.
“Siç kam thënë në gusht të vitit 2008, armiqtë tanë do të shtypen dhe Rusia do të arrijë të gjithë paqen, sipas kushteve të saj”, tha ai.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të hënën se Kievi qëndron në solidaritet me Tbilisin dhe se Rusia “do të paguajë” për agresionin e saj.
“Ukrainasit qëndrojnë në solidaritet me popullin e Gjeorgjisë dhe i falënderoj të gjithë shtetasit gjeorgjianë që po mbrojnë lirinë së bashku me ne”, tha ai.
Si nisi konflikti 15 vite më parë
Gjeorgjia nisi një sulm ndaj militantëve në Osetinë e Jugut më 7 gusht të vitit 2008, pas disa ditë përleshjesh dhe muajsh me tensione midis Moskës dhe Tbilisit rreth saj dhe kryengritësve në Abhkazi në bregun e Detit të zi, të dyja këto rajone që u përpoqën të shkëputen në luftërat në fillim të viteve 1990 me rënien e Bashkimit Sovjetik.
Rusia u përgjigj me një kundërsulm shkatërrues që rrënoi ushtrinë gjeorgjiane. Forcat ruse u futën në Gjeorgji, duke tronditur besimin në rrugët e naftës dhe gazit drejt perëndimit që kalonin përmes ish-republikës sovjetike.
Lufta pesëditëshe la pas vetes të paktën 390 civilë të vrarë dhe në kulmin e saj u zhvendosën më shumë se 100,000 njerëz. Sulmi i ashpër i Rusisë rrënoi shpresat e Gjeorgjisë për të rimarrë kontrollin e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë dhe frenoi planet e anëtarësimit të vendit në NATO. Perëndimi e dënoi përgjigjen e Rusisë si “joproporcionale”, por gjithashtu fajësoi për sulmin presidentin gjeorgjian Mikheil Saakashvili.
Etnikisht të ndryshëm nga gjeorgjianët, banorët e Osetisë së Jugut flasin gjuhën e tyre, të lidhur me gjuhën farsi dhe thonë se janë ndarë nga bashkëqytetarët e tyre në rajonin fqinj të Osetisë së Veriut në Rusi. Aktualisht mendohet se rreth 98 për qind e popullsisë së Osetisë së Jugut ka pasaporta ruse, ndërsa rusishtja është gjuhë e përditshme në territorin e kontrolluar nga Rusia dhe rubla ruse – monedhë në përdorim.
Vetëm pesë vende anëtare të Kombeve të Bashkuara i njohin Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë si vende të pavarura, Rusia, Siria, Nikaragua, Venezuela dhe Nauru. Dy vende të tjera – Tuvalu dhe Vanuatu – i kanë tërhequr njohjet e tyre.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të hënën se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Gjeorgjisë brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Ashtu si në Ukrainë, populli i Gjeorgjisë ka vuajtur pasojat e përbuzjes së Rusisë ndaj ligjit ndërkombëtar dhe dëshirës për të dominuar fqinjët e saj, thuhet mes tjerash në një deklaratë të sekretarit Blinken në të cilën nënvizohet se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre për popullin e Gjeorgjisë dhe dëshirën e tij për integrimin euroatlantik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



