Rrjetet sociale po gëlojnë prej disa orësh pas postimeve të Ministres së Turizmit Mirela Kumbaro që shkon tej etikës ndaj qytetarëve që hedhin plehrat nga dritarja e makinës teksa udhëtojnë nëpër Shqipëri. Por edhe ndaj atyre që nuk i hedhin në kosha por i lenë në rrugë.
Ministrja Kumbaro ka kohë që është angazhuar në sensibilizimin e qytetarëve për të frenuar ndotjen mjedisore. Dhe mirë bën. Por nuk është ky debati në këtë rast.
Disa herë ajo është parë se ka ‘përveshur’ mëngët dhe ka mbledhur vetë plehrat në zona të caktuara, me apo pa doreza.
Madje u ka treguar edhe qytetarëve se ku janë koshat dhe se ku hidhen mbetjet.
Orët e fundit me postime të njëpasnjëshme në Facebook ajo përmendi edhe fjalët ‘Plehrë, i paudhë apo dembel’, e revoltuar për ata që ndotin edhe më shumë gjatë kësaj vere vendin.
Fjalën ‘plehrë’ e korrigjoi shpejt edhe pse gjurma e facebook-ut ka mbetur.
Pyetjet që shtrohen në këtë situatë kur një pjese të mirë fatkeqesisht nuk ia ndjen për të mbrojtur mjedisin janë të shumta.
A vjen zgjidhja përmes ‘të tilla epitetesh’ të Ministres?
A vjen zgjidhja nëse Ministrja del dhe mbledh një ditë plehrat e qytetarëve?
A vjen zgjidhja duke lëshuar policinë rrugore që të ndalojë shoferët (jo për shpejtësi apo parakalim të gabuar), por që ka hedhur qeset me plehra nga dritarja e makinës?
Pasdyshim që jo.
Kjo mund të bëhet një ditë apo një javë.
Sensibilizimi i Ministres dhe zyrtarëve qendrorë dhe lokalë duhet të shoqërohet me masa konkrete.
Duke filluar me gjobat për ata që hedhin plehrat jo në kosha apo nga dritarja e makinës apo edhe e pallatit.
Nëse do t’ia kthesh qesen me plehra të hedhur në rrugë dhe jo në kosh një qytetari në shtëpi, çoi edhe faturën e gjobës parashikuar konkretisht me ligj të miratuar zonja Ministre dhe nuk do të kesh nevojë as për epitete të tilla, as të përveshësh vetë mëngët ato ditë që shkon vetë në zonat turistike (sese ky fenomen eshte ngado) e as të lëshosh policinë.
Ja ku e ke edhe një shembull të para 5 viteve në Itali
Në tetor të 2018-ës, një qytetar në provincën e Padova-s, Itali hodhi qesen me plehra nga dritarja e makinës, por nuk mendoi se ato do t’i ktheheshin sërish në shtëpi.
Kryetari i bashkisë, Cesare Mason falë kamerave në rrugë dhe të disa të rinjve që e ndihmuan gjeti shtëpinë e personit që hodhi plehrat nga makina dhe ia çoi në shtëpi.
“I çova në shtëpi atë që kishte humbur rrugës. Mjaft më me këto zakone të këqija. Por kjo nuk është gjithçka atij do t’i shkojë në shtëpi edhe një gjobë”- tha kryetari i bashkisë 5 vite më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.