Nga Gazeta ‘SI’ – Zv. kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, u shpreh se brenda vitit 2024 parashikohet që të përfundojnë punimet për ndërtimin e dy lotëve të para të aksit Elbasan- Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëri të ditur gjithashtu se në shtator të këtij vitit pritet që të hapen procedurat edhe për dy lotet e tjera të këtij aksi, loti 3 dhe 4.
“Duhet të kemi parasysh që prej kohësh ne kemi nisur një projekt të madh të përbashkët, projektin e zhvillimit të Korridorit të VIII, një ëndërr të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, i cili tashmë nuk është thjesht një projekt në letër. Nga ana shqiptare ka nisur prej kohësh dhe ndodhemi në lotin e dytë. Gjithashtu, nga ana e Maqedonisë së Veriut ka pasur një progres të jashtëzakonshëm për sa i përket këtij korridori”, tha ministrja.
Ajo shtoi se qëllimi i Korridorit 8 nuk janë vetëm autostradat, por më shumë rrugët hekurudhore, si një formë transporti më pak e kushtueshme për qytetarët dhe mjedisin.
Ministrja përsëriti thirrjen e saj për BE-në, për të shtuar vëmendjen dhe financimin ndaj Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, si dy shtete që ‘i kanë bërë detyrat e shtëpisë’.
“Një Korridor, jo thjesht transporti dhe infrastrukture, por një korridor i sigurisë, e cila u testua fort gjatë vitit 2022, duke treguar se askush nuk është i paprekshëm nga luftërat apo nga ngjarjet e jashtëzakonshme, pavarësisht distancës ku ato zhvillohen. Kështu që ne të gjithë së bashku sot gjejmë rastin që të angazhohemi edhe njëherë duke treguar se ky projekt në dukje i vogël, por shumë i rëndësishëm është një nga produktet që ka dhënë bashkëpunimi ynë i frytshëm midis dy qeverive dhe administratave tona, kështu që jemi të sigurt që dhe të gjitha projektet e tjera, siç janë ato strategjike Korridori VIII do të jenë të suksesshme”, përfundoi ministrja Balluku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



