Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin për çështjen e sekuestrimit të vilave që dyshohen se janë pasuri e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Në këtë mënyrë dy vilat do të vazhdojnë të jenë në sekuestro preventive.
Njëra vilë ndodhet në Hamallaj të Durrësit, ndërsa tjetra në bregdetin e jugut të vendit dhe përdorej nga ish-bashkëshortja e Ahmetajt.
Vendimi i sekuestrimit të dy pronave erdhi si rezultat i hetimit të regjistruar nga SPAK për ish-zëvendëskryeministrin, i cili akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Pak ditë më parë, po me miratim të Gjykatës së Posaçme, SPAK sekuestroi 4 banesa dhe dy llogari bankare në vlerën e 124 mijë eurove në emër të Arben Ahmetajt. Ndërsa më 24 korrik, ish-ministri u shpall në kërkim ndërkombëtar.
Avokati i tij është shprehur se ai ndodhet në Angli, ndërsa vetë Ahmetaj nga arratia, me anë të dy postimeve në rrjetin e tij social Facebook, ka mohuar akuzat e ngritura duke e konsideruar hetimin ndaj tij si politik dhe përndjekje.
Ish-numri dy i qeverisë Rama, akuzohet për refuzim për deklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, korrupsionit pasiv dhe aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë dhe pastrim të produkteve të veprës penale, vepra penale nga të cilat mund të dënohet nga 10 deri në 15 vite burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.