194 e vende e ndajnë Tiranën me kundërshtarin e saj të sotëm, Beshiktashin, në raundin e dytë eliminator të Conference League. Një diferencë mjaft e madhe edhe në këtë pozicionim të UEFA-s në rankimin e klubeve europiane në varësi të rezultateve, kryesisht me paraqitjet e tyre në Europë.
Tirana sportivisht nuk duket pretendente, apo nuk mund të fitojë në letër përballë gjigandëve turq, që janë edhe skuadra e parë turke e krijuar në vitin 1903. Por situata brenda kësaj skuadre nuk është më e mira e mundshme.
Në mbledhjen e djeshme me delegatin e ndeshjes të dy klubeve, Tiranës dhe Beshiktashit, dha dorëheqjen drejtori sportiv i ekipit turk, për shkak të ankesave të ambientit rreth tyre dhe tifozerisë për merkaton deri diku të vakët, lidhur me pritshmëritë që ata kanë për sezonin e ri.

Protestat e tifozëve turq
Në lidhje me këtë situatë, mediat vendase në Turqi paralajmërojnë një protestë të tifozerisë edhe sot, në ditën e ndeshjes. Një situatë që derivon nga sezoni i shkuar, ku kjo skuadër u rendit jashtë zonës së pjesëmarrjes direkt në raundet më të vonshme të Kupave të Europës, në pozicionin e pestë. Kjo është edhe arsyeja përse një emër kaq i madh i futbollit turk, por edhe europian, përballet kaq shpejt me skuadra të një niveli poshtë tyre, siç është Tirana.
350 mijë euro e drejta televizive
Edhe pse është një ndeshje me pak pritshmëri pozitive për skuadrën shqiptare në aspektin sportiv, në planin financiar duket se gjithçka është mbyllur edhe pa u luajtur akoma ndeshja. Klube të një niveli të tillë vërtet kanë mungesën e “fatit” që mund të bëjë diçka më tepër në aspektin sportiv, por nga pikëpamja marketingut Tirana ka arritur të përfitojë një shumë të majme prej rreth 350 mijë eurosh për ndeshjen e kthimit nga e drejta televzive, të cilën e menaxhon vetë.
Deri në këto raunde paraeliminatore dhe eliminatore, skuadrat pjesëmarrëse në Kupat e Europës i menaxhojnë vetë të drejtat e imazhit të tyre, ndërkohë që nga faza e “play-off”-it, që është pas raundit të tretë eliminator, gjithçka kalon nëpërmjet menaxhimit të UEFA-s.

Orges Shehi nuk ndryshon
Edhe pse shpesh në futboll mendohet që skuadra luan në varësi të kundërshtarit, duket se trajneri i Tiranës ka vendosur që të zbresë në fushë mbrëmjen e sotme përballë Beshiktashit me 11-tshen e suksesit të Gjeorgjisë, që mundi Dinamon 1-2 në Batumi.
Në portë si gjithmonë do të jetë Gentian Selmani, ndërkohë që në mbrojtje katërshja Hoxhallari, Najdovski në qendër dhe nga krahët Doka dhe Përgjoni. Në mesfushë do të jetë treshja Hila, Jonuzi dhe Lushkja, ndërkohë që në repartin e avancuar mbetet treshja Latifi, Abazaj dhe Hasani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




