Futboll

Mbape tërbon PSG-në, refuzon të takojë arabët dhe ofertën prej 400 milionë eurosh

Gazeta Si – Kapitulli i radhës në telenovelën ‘Mbape’, me francezin që po e bën gjithmonë e më të qartë se dëshiron vetëm Realin e Madridit. Sulmuesi ka refuzuar të takojë në Paris përfaqësuesit e Al Hilal, duke tërbuar drejtuesit e klubit.

Mbape nuk e ka në planet e tij Al Hilalin, që i afron një kontratë dyvjeçare me 400 milionë euro. Sulmuesi ia ka mbyllur derën para fytyrës klubit saudit, që është gati t’i bëjë një urë ari për ta çuar në Arabi.

Një delegacion arab kishte mbërritur të mërkurën në Paris për ta bindur lojtarin të lërë PSG-në dhe të transferohet në Saudi Pro League, para se të shkojë te Real Madrid. Por ylli francez ka zeruar çdo mundësi që kjo gjë të ndodhë, sipas asaj që bën me dije ‘Equipe’.

Në këtë rast PSG humb 300 milionë eurot që Al Hilal do të paguante për kartonin e lojtarit, që hyn në vitin e fundit të kontratës. PSG e kishte autorizuar Al Hilalin të fliste me sulmuesin. Qëllimi i vizitës në Paris ishte që përfaqësuesit e Al Hilalit të prezantonin projektin te njerëzit afër Mbape, i cili ka refuzuar çdo ftesë.

Kapiteni i Francës, një vit para Europianit dhe Olimpiadës së Parisit, nuk e ka marrë asnjëherë në konsideratë ofertën arabe. Kështu gjithçka mbetet si në fillim, me PSG të vendosur për ta shitur, nëse nuk do të rinovojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë