Jete & Stil

OKB ngre shqetësimin për rrezikun e përdorimit të celularëve në shkolla

OKB ka paralajmëruar për rrezikun e përdorimit të telefonave në shkolla, duke thënë se vetëm “teknologjia e nevojshme për mësim” mund të përdoret në shkolla.

Telefonat mund të shkaktojnë shpërqendrim, të rrezikojnë privatësinë e nxënësve dhe të çojë në bullizimin kibernetik ka thënë UNESCO, agjencia e OKB-së për arsimin, shkencën dhe kulturën, raporton BBC.

Por, në bazë të këtij raporti, më pak se një në katër shtete kanë ligje dhe rregulla që ndalojnë përdorimin e telefonave në shkolla.

Manos Antoninis, autori i raportit të Monitorit të Edukimit Global 2023, i tha BBC-së studimi i tyre gjeti “shembuj të përdorimit të telefonave në shkollë që po i shpërqendrojnë studentët nga të mësuarit dhe po rrisin rreziqet për privatësinë e tyre në të njëjtën kohë”.

Disa studime kanë treguar se ndalimi i telefonave celularë në shkolla përmirëson performancën akademike, thekson raporti.

Në vitin 2017, Bangladeshi i ndaloi studentët dhe mësuesit në shkolla dhe kolegje t’i sillnin telefonat celularë në klasa.

Franca gjithashtu ka ndaluar përdorimin e tyre, por bën përjashtime për grupe të caktuara studentësh, për shembull ata me aftësi të kufizuara, ose kur telefonat inteligjentë përdoren për mësimdhënie.

Vitin e ardhshëm edhe Holanda do të ndalojë kryesisht telefonat celularë, tabletët dhe orat inteligjente në klasat e shkollave të mesme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë