Gazeta Si – Igli Tare, ish-kapiteni i Kombëtares dhe ish-drejtori sportiv i Lacios, ende nuk e ka fiksuar stacionin e ri të punës. Ai ndodhet në Shqipëri ndërkohë për pushime, ndërsa mbrëmjen e së shtunës është shfaqur në stadiumin e Korçës.
Tare ka ndjekur miqësoren mes Skënderbeut dhe Dinamos. Në stadium ai shoqërohej nga një emër shumë i njohur i futbollit italian, Luixhi Di Biaxho, ish-lojtar i Interit dhe Italisë, si dhe trajneri i Italisë U-21. Kohë më parë, para se në krye të Kombëtares shqiptare të vinte Silvinjo, lakohej edhe emri i Di Biaxhos.

Mbetet mister për momentin arsyeja e vizitës së Tares dhe Di Biaxhos në stadiumin e Korçës. Tare ka takuar aty mesfushorin e Skënderbeut, Dean Liço, me të cilin ka njohje të mëparshme, por mësohet se ai dhe Di Biaxho mund të kenë monitoruar Jordi Jakun, një nga talentet e Dinamos dhe Kombëtares U-17.
Vetëm pak ditë më parë u fol për një takim të Tares me pronarin e Çelsit në Palasë, për një bashkëpunim të mundshëm mes palëve. Tani për tani nuk ka asgjë konkrete, Tare vazhdon të shijojë pushimet, ndërsa vizita e Di Biaxhos në Shqipëri nuk ka qenë për pushime.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




