Gazeta Si – Interi duhet të presë ende për portierin titullar të sezonit të ri, pas largimit të Handanoviç dhe shitjes së Onanës te Mançester Junajtid. Të shtunën pati një tjetër takim mes përfaqësuesve të Interit dhe atyre të Bajern Mynih në lidhje me Jan Somer.
Ishte një takim që zgjati rreth një orë dhe pa ndonjë marrëveshje finale. Portieri zviceran do të shkojë në Japoni, por jo me Interin, siç priste trajneri Inzagi, që tashmë ka vetëm të rinjtë Stankoviç dhe Galigaris, si dhe portierin e tretë Di Xhenaro. Nuk është grumbulluar Radu, që pritet të sistemohet diku tjetër.

Pozicionet e dy klubeve janë kristalizuar dhe tek Interi ka ende besim se bisedimet me Bajernin do të mbyllen me sukses. Është vetëm çështje kohe, edhe sepse akordi me Somer është arritur prej ditësh. Portieri është gati të bëjë presion ndaj drejtuesve bavarezë.
Raportet mes Interit dhe Bajernit janë shumë të mira, nuk ka ‘mundje dore’, por është e qartë se çështja e kohës nuk ndryshon. Nënkampionët e Europës, pas akordit me Somer, duan të kursejnë ndonjë milion përballë klauzolës prej 6 milionë eurosh. Në anën tjetër, trajneri i bavarezëve, Tuhel, nuk është i bindur, duke parë vonesën e rikuperimit të Nojer dhe vështirësitë për të blerë një portier tjetër.
Mund të ketë kontakte të tjera direkt mes klubeve në Tokio, por është e poshmangshme vonesa. Interi ndërkohë mund të përshpejtojë bisedimet për portierin e dytë, Trubin të Shaktharit. Ukrainasi kërkon Interin, por klubi i tij kërkon shumë, rreth 30 milionë, kundrejt 10-12 të zikaltërve.

Romelu Lukaku ndërkohë ka mbetur ‘jetim’. Ai po stërvitet vetëm, ndërsa Çelsi synon që të lirohet sa më parë prej tij, pasi humbi ofertën prej 40 milionë eurosh të Interit, që e kishte në duar lojtarin. Por tani tek Interi është një çështje e mbyllur dhe për momentin sulmuesi belg i ka mbetur vetëm Arabia Saudite.
Al Hilal është hedhur sërish në sulm, duke i ofruar Lukakut 50 milionë euro në sezon. Juventusi në anën tjetër po merr kohë, sepse më parë duhet të shesë e pastaj të mendojë për goditjen e madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




