Menaxhim

A do të preken projektet e kontraktuara nga bllokimi i fondeve për bujqësinë? Cilat janë hallkat në rast të një vendimi final të BE

Nga Gazeta ‘Si’ - Bllokimi i fondeve për bujqësinë nga Bashkimi Europian, pas hetimeve për korrupsion, ka nxitur vrik reagime të shumta mes ekspertëve të fushës.

Ata janë në një mendje kur e konsiderojnë këtë zhvillim si një lajm shumë të keq për bujqësinë ndërsa theksojnë se më së shumti do të preken fermerët dhe përpunuesit të cilët kanë plane investimi.  

Ilir Pilku, njohës i mirë i politikave dhe proceseve të fondeve europiane dhe njëkohësisht një nga tre ekspertët e certifikuar në Shqipëri nga Bashkimi Europian, shpjegon si mund të vijojë procesi në të gjitha hallkat, në rast të një vendimi final (hetimi është ende në vazhdim).

“Qeveria ka të drejtën e mos-pranimit dhe të justifikimit apo ofrimit të fakteve kundërshtuese. Nëse pas diskutimeve të mbrojtjes (back and forth) dhe dakordësimit të shumës së faktuar, detyrimi për rikthim fondi i mbetet qeverisë shqiptare bazuar në një nen të veçantë të MSA (Marrëveshja e Stabilizim Asociimit), subjektet e identifikuara kalojnë në proces hetimor”, shpjegon Pilku.

Pilku e konsideron një lajm të keq kombëtar bllokimin e granteve nga BE për bujqësinë

A përbën problem për projektet e kontraktuara?

Pilku thekson se ky bllokim nuk përbën asnjë kërcënim për projektet të cilat kanë qenë të kontraktuara dhe procesi i tyre do të vijojë siç ka qenë.

“Në çdo rrethanë të kundërt ata kanë të drejtën të padisin në Gjykatë Administrative autoritetet zbatuese”.

Ai sjell shembullin e një situate kur në vitin 2009 diskutohej bllokimi i fondeve për Bullgarinë dhe kthimin e një shume prej rreth 860 mln euro.

“Çështjet u mbrojtën, u arrit një dakordësim dhe Bullgaria fitoi përsëri procesin e granteve”, vëren ai mandej.

IPARD III i bllokuar përkohësisht

"Fondi i IPARD-III është aktualisht i bllokuar përkohësisht, për arsye të dyshimeve gjatë implementimit të IPARD-2, dhe si i tillë, masat e mbështetjes nuk janë ri-akredituar.  Shqipëria ka 9 muaj që është në pritje të ri-akreditimit dhe kjo është arsyeja e vonesës", citon Pilku.

Programi IPARD është mbështetja financiare për bujqësinë, që Bashkimi Europian ua dedikon vendeve në proces aderimi si ndihmë për të zhvilluar më tej sektorin bujqësor. IPARD është miratuar me vendim të Komisionit Europian më 20 korrik 2015.

Vendet që aktualisht përfitojnë nga mbështetja IPARD III janë: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia.

Ishte Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë që sqaroi vendimin e marrë në kuadër të një hetimi që ka nisur Brukseli, pas akuzave për korrupsion me këto fonde në Shqipëri.

“Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Europian”, sqaroi Delegacioni i Bashkimit Europian.

Pilku thekson se OLAF ka qenë edhe herë të tjera në Shqipëri për identifikime të rasteve në sektorë të tjerë të ekonomisë, ku ka dhënë rekomandime apo masa penalizuese.

“Ky është proces pune i tyre, i njëjtë me rolin e KLSH-së.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë