Nga Gazeta ‘SI’ – Projektligji për kultivimin e kanabisit mjekësor është rikthyer në komisionin e Ekonomisë, ku përsëri ka pasur kundërshti.
I pari ishte deputeti socialist Erion Braçe, i cili i tha përfaqësuesve të ministrisë së Bujqësisë se është e papranueshme që kanabisi për qëllime industriale (kërpi) të mos ketë asnjë lloj kufizimi në sipërfaqen e kultivimit.
“Ta lesh të lirë me ligj do të thotë ta lesh të lirë në qeveri. Në kushtet kur ky vend ka kaluar gjëra të tilla, si atje në Malësi. Kjo në gjykimin tim është e papranueshme. Propozimi im është të vendoset kufizimi në sipërfaqe”, tha Braçe.
Deputeti Dashamir Shehu propozoi që si përvojë e parë për Shqipërinë, kultivimi i kanabisit duhet të nisë fillimisht me 50 ha dhe se nuk ka nevojë të pushtojë 200 ha tokë bujqësore, sa 2% i totalit.
“Nëse qenka fitimprurëse, që unë se besoj, se të ishte e tillë Afganistani do të ishte shumë më para. Ku do t’i gjejë Shqipëria 200 ha në një vend. Parcelat do të jenë të ndara vende-vende”, tha Shehu duke ironizuar se sa njësi drejtuese po krijohen për kanabisin, nuk ka as për barnat.
Bujar Leskaj, deputet nga PD-ja rikujtoi qeverinë se nuk ka ende një analizë nga to për përfitimet ekonomike të kanabisit mjekësor apo industrial në vend.
Zv.ministrja e Shëndetësisë, Entela Ramosaçaj, përsëriti të njëjtat fjalë të thëna në komisionet e tjera; se përftimi ekonomik është tek rritja e fuqisë punëtore dhe zhvillimi një tregu të ri ekonomik që do të rrisë konkurrueshmërinë.
Komisioni i Ekonomisë e miratoi nen për nen në parim projektligjin, i cili do të kalojë dhe njëherë në komisionin e Shëndetësisë pas propozimeve të deputetëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



