Kosova

Bislimit i refuzohet pjesëmarrja në Tiranë. Qeveria e Kosovës: S’ka qenë e planifikuar, jo më e konfirmuar

Nga Gazeta ‘Si’ – Takimi informal që mbahet këtë të hënë në Tiranë me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duket se do të mbahet pa praninë e Kosovës në tryezë. Kjo pasi kryeministri Albin Kurti ka vendosur që të marrë pjesë sot në një konferencë që po zhvillohet në Greqi.

Megjithatë, Kurti konfirmoi pjesëmarrjen e Kosovës në takimin në Tiranë me anë të zv/kryeministrit Besnik Bislimi. Por as Bislimi nuk do të mundet të marrë pjesë në takim.

Atij i është komunikuar nga organizatorët e aktivitetit se niveli i tij është dytësor dhe jo i përshtatshëm për takimin që do të mbahet sot. Gjithashtu është bërë e ditur se dosja e takimit do t’i dërgohet me postë të sigurt qeverisë së Kosovës, përkatësisht zyrës së kryeministrit.

Por Këshilltari për Media në zyrën e zv.kryeministrit të Kosovës, Klisman Kadiu ka deklaruar se pjesëmarrja e Bislimit në takimin joformal nuk ka qenë e planifikuar e aq më pak e konfirmuar.

“Lajmi i djeshëm për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Bislimi në takimin joformal në Tiranë nuk është i vërtetë. Nuk ka qenë i planifikuar e aq më pak i konfirmuar.

Meqë nuk ka pasur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t’i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij. Prandaj edhe raportimet nga disa media shqiptare në lidhje me refuzimin nuk janë gjë tjetër veçse spekulim dhe duke qenë i tillë veç mund të spekulojmë për origjinën e tij”– u shpreh Kadiu.

Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar: katër kryeministra të rajonit, ajo e Serbisë Bërnabiç, kryeministri maqedonas Kovaçevski, shefi i qeverisë malazeze Abazoviç dhe kryeministrja e Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo. Në takim do të marrë pjesë edhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë