Politike

Sot takimi informal në Tiranë me liderët e Ballkanit, mungon Kurti: Jam në Kretë, por do vij në samitin e tetorit

albini dhe rama

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu deklaroi se kryeministri Albin Kurti ka njoftuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama se nuk do të mund të shkojë në takimin joformal të liderëve të rajonit në Tiranë, duke qenë se muaj më parë ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor, është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë.

Kryeziu ka shkruar në Facebook se para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

“Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, ka shkruar ai.

Në takimin informal në Tiranë, i cili do të mbahet në vilën qeveritare numër 31 në ish Bllok, Kosova pritet të përfaqësohet nga Besnik Bislimi zëvendës kryeministër dhe krye-negociator për bisedimet teknike me Beogradin.

Në takimin e sotëm do të jenë të pranishëm kryeministrat e Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneri Evropian, Oliber Varhelyi  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë