Nga Gazeta ‘SI’ – Zëvendësministri i Financave, Endri Yzeiraj prezantoi shkurtimisht në komisionin e Ekonomisë, draftin për administrimin ndërtimeve pa leje të konfiskuara, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social.
Yzeiraj theksoi se qëllimi i këtij draftligji është zbutja e pasojave sociale dhe shmangie e dëmit ekonomik dhe jo legalizimin e ndërtimeve pa leje apo konfiskimin.
Ai sqaroi se të gjithë palët e përfshira në ndërtim kanë akses në ankandin e blerjes së objektit, por blerja e objektit nuk do të thotë se i shmanget gjobës. Blerja do të bëhet me vlerën aktuale të tregut. Kur objekti nuk blihet apo nuk shitet objekti merret në administrim nga njësitë qeveritare për ta përdorur për strehim social apo interesa të tjera publike.
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku në të njëjtin komision tha se ky është një ligj me porosi i shkruar në zyrat e bizneseve, si nder për to. Ajo shtoi se kjo quhet ‘kapje e shtetit’ dhe nëse ligji do të funksiononte nuk mund të ngriheshin 6 kate pa leje në mes të Tiranës.
“Qartësisht qeveria njeh që ka dështuar me kontrollin e territorit, por çfarë masash do të merren për shkelje leje, për kompaninë dhe për pushtetin lokal? Ligjet shkruhen në zyra biznesmenësh, kjo është kapja e shtetit. Ligje me porosi! Ky është një ligj që tregon kapjen e shtetit dhe ky komision nuk duhet ta lejojë atë. Nëse ligji do të funksiononte nuk do të ngriheshin 6 kate pa leje në mes të Tiranës, nuk do të kishte nevojë për këtë ligj. Pse duhet të merret ministria e Financave me këtë ligj? Është bërë thes me punë që nuk i takojnë asaj? Zv.ministri tha se qëllimi kryesor është të rregullojë kuadrin ligjor të ndërtimit, a i përket kjo MFE?”, tha Tabaku.
Deputeti i PS-së Erjon Braçe drejtoi disa pyetje mbi draftin, lidhur me palët e treta, pjesët që mund të blihen dhe konfiskohen edhe si do të zhvillohen proceset.
Zv.sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Ministrave, Elira Kokona garantoi në komision se ligji nuk mbron interesa private, por ato publike dhe se është hartuar në godinat e ministrive, si kundërpërgjigje për akuzat e Tabakut.
Ajo vazhdoi të jepte më shumë detaje nga drafti.
“Nëse pjesa e ndërtuar pa leje është më shumë se 10%, do të konfiskohet e gjithë ndërtesa, më pak se 10% jo. Palët e treta marrin vetëm pjesën që i takon sipas kontratave dhe marrëveshjeve të regjistruara. . Nuk merr parasysh detyrimet e tjera shtesë, por të pjesëve takuese po. Ata do të blejnë çfarë shteti lë në dispozicion mbi volumin me leje. Në atë pjesë pa leje nuk mund të ketë pretendime për posedime. Kur personat e tretë kanë bërë blerje, duhet të jetë blerje e regjistruar që të përfitojnë. Ka kontratë porosie, por jo blerëse dhe kjo nuk njihet. Njihet vetëm vlera që kryhet me bankë për blerje. Nëse do të blesh ndërtesën tënde do ta blesh të gjithën dhe jo vetëm pjesën ilegale”, sqaroi Kokona.
Ajo shtoi se mund të ndodhë dhe parablerja “1 euro”, kur vetë ndërtuesit i japin me vullnet objektet pasi kanë bërë shkelje.
Sekretarja e Përgjithshme e ministrisë së Financave, Risena Xhaja tha se në këtë ligj do të përfshihen të gjitha objektet e konfiskuara deri më tani, që janë në total 25, në të gjithë Shqipërinë.
“Nga këto 25, 13 kanë pa leje 10% të ndërtesës, pra janë konfiskuar në total. 4 janë pa leje fare dhe 7 janë 90% pa leje. Kemi marrë 10 kërkesa për blerje dhe janë mbledhur 15 mln euro”, tha Xhaja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



