Nga Gazeta ‘SI’ – Kuvendi i ka kërkuar Entit Rregullator të Energjisë, ERE, të bashkëpunojë më ministrinë e Shëndetësisë për të hartuar aktet nënligjore për statusin e klientit në nevojë, duke nisur kështu kompensimin e shpenzimeve energjetike e familjeve në nevojë.
Në projektrezolutën për Entin, Kuvendi kërkon angazhimin e tij për të miratuar sa më shpejt rregulloret për ligjin “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, si edhe të bashkëpunojë për lehtësimin e barrierave dhe nxitjen e investimeve në rritjen e prodhimit të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme.
Një tjetër kërkesë për ERE-n është ajo e implementim të platformës së platformës së krahasimit të çmimeve (Price Comparison Tool) brenda vitit 2023, e cila i ofron furnizuesve mundësinë e paraqitjes së çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët që zgjedhin të furnizohen nga tregu i lire duke i dhënë mundësinë e vlerësimit në mënyrë transparente të ofertave.
Kërkesat e tjera të Kuvendit për ERE-n:
– ERE të marrë masa që numri i gjelbër të jetë funksional dhe të ketë stafin përkatës i cili bën të mundur adresimin në kohë reale të kërkesave për informacion të konsumatorit si dhe jep orientimet për adresimin më të shpejtë të ankesave sipas legjislacionit në fuqi, në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh fuqinë e mediave sociale të jetë më aktive në promovimin përmes tyre të të drejtave të konsumatorëve, sensibilizimin e tyre mbi kursimin e energjisë elektrike, broshurave informative për konsumatorin, si dhe informacione të tjera që i shërbejnë konsumatorit.
– ERE të vijojë kontributin e saj për bashkërendimin e punës mes rregullatorëve, TSO-ve dhe bursës për të mundësuar bashkimin e tregjeve jo vetëm ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës por dhe më tej me Maqedoninë e Veriut apo dhe Malin e Zi.
– ERE të vijojë bashkëpunimin me Albgaz sh.a. lidhur me tubacionin nga Terminali në Vlorë deri në pikën e takimit me TAP në Fier e cila, nga njëra anë, krijon mundësinë e përshpejtimit te riparimit te TEC-it Vlorë dhe të vendosjes se tij në punë dhe nga ana tjetër krijon mundësinë që të mund të injektohet gaz edhe në rrjetin e TAP për nevojat e Rajonit.
– ERE në bashkëpunim me aktorët e tjerë të fushës të ndërmarrë veprime koherente dhe me objektiva të qartë për të krijuar një treg funksional gazi që shfrytëzon potencialin e infrastrukturës ekzistuese në vend dhe që krijon bazat e tregut për planet e zhvillimit të infrastrukturës.
– ERE të vijojë bashkëpunimin me Agjencinë e Eficiencës për hartimin e një strategjie të përbashkët afatmesme për adresimin e çështjeve me interes të konsumatorit sa i përket përdorimit eficient të energjisë.
– Gjatë vitit 2023 ERE të punojë për implementimin e sistemimit të lëshimit, anulimit dhe tregtimit të garancive të origjinës, në përputhje me standardet e BE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



