Biznes

Kompania italiane e hidrokarbureve Eni do të nisë shpimet për naftë në Dumre

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjigandi italian i hidrokarbureve, Eni, do të nisë shpimin e një pusi në zonën e Dumresë në kërkim të hidrokarbureve të panjohura, supozohet naftë.

Kompania ka publikuar studimin gjeofizik që vlerëson ndikimet sociale dhe mjedisore.

 “Aktualisht, pas rezultateve të studimit gjeofizik, Eni po përgatitet të kryejë aktivitete kërkimore në Bllokun Dumre me shpimin e pusit “Dumrea Deep-1. Projekti synon të vlerësojë praninë e rezervuarit naftëmbajtës që pritet të jetë midis 5000 – 6500 metra thellësi në tokë”, thuhet në raport.

Gjithsesi, Eni thotë se ka edhe gjasa që mos të gjendet prani e hidrokarbureve brenda strukturës së synuar. Pas përfundimit të operacioneve të shpimit, pusi do të mbyllet dhe izolohet siç duhet (do të mbyllet dhe do të braktiset). Sonda e shpimit, pajisjet ndihmëse dhe strukturat do të hiqen nga vendi i shpimit dhe sheshi i pusit do të rikthehet në gjendjen e tij fillestare sipas Planit të Braktisjes dhe Rehabilitimit.

Sipas dokumenteve në dhjetor 2019, Eni Albania nënshkroi një Kontratë me Ndarje Prodhimi me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në Bllokun Dumre në rajonin qendror të vendit.

Qeveria e cila kishte kohë që nxirrte për interes Blloqe të lira nafte arriti të nënshkruante me kompaninë italiane ENI në 2019-ën një marrëveshje me kushte të reja sipas kuadrit të ri ndryshe nga ato ekzistuese dhe ku pritet që Shqipëria të përfitojë më shumë. Kjo do të thotë se në rast zbulimi naftë dhe nisje prodhimi vendi ynë përfiton që në fuçinë e parë dhe jo në pritje të nxjerrjes së investimit nga ana e kompanisë.

Në atë kohë kur u nënshkrua edhe marrëveshja qeveria shqiptare deklaroi se është rënë dakord me kompaninë që përftimi të mos jetë vetëm në aspektin financiar duke marrë më shumë para në buxhet, por edhe sa i takon kapitalit njerëzor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë