Histori

Zbulohet qyteti i lashtë grek, u ndërtua nga të burgosurit e Trojës

Arkeologët grekë zbuluan mbetjet e qytetit të lashtë të humbur të Tenea-s, tha Ministria greke e Kulturës këtë javë.

“Duke qenë të dokumentuar më parë vetëm në tekstet e lashta, Tenea u gërmua në rajonin jugor të Peloponezit dhe nga gërmimi u vërtetua ekzistenca e qytetit të lashtë”, tha ministrja Mirsin Zorba në një deklaratë të martën.

Tenea besohet të jetë një qytet i ndërtuar nga të burgosurit e Trojës të lejuar të ngrenë aty qytetin e tyre pas Luftës së Trojës dhe rrënimit të saj. Gërmime të mëhershme kanë gjetur gjurmë në afërsi të qytetit, por gërmimi më i fundit zbuloi “tapetin urban të qytetit”, duke përfshirë dysheme, mure dhe hapësira në formë dyersh. Midis të tjerave, në fund të tetorit nga gërmimet u zbuluan mbetje të banesave, qeramikës, monedhave dhe varreve.

“Është e rëndësishme që mbetjet e qytetit, rrugët e shtruara, struktura arkitekturore, dolën në dritë”, tha arkeologia Elena Korka për CNN. “Ne kemi gjetur prova të jetës dhe vdekjes … dhe e gjithë kjo është vetëm një pjesë e vogël e historisë së vendit”.
Korka shtoi se ekipi i saj gjeti varre të fëmijëve, një element domethënës për vlerësimin e saktë të periudhës, sepse vetëm fëmijët u varrosën në ndërtesa gjatë kohës romake. Korka dhe ekipi i saj kishin gërmuar në zonë që nga viti 2013. Ky gërmim i fundit gjithashtu tregoi se qyteti përjetoi prosperitet ekonomik nën sundimin romak. Besohej se qyteti Tanea kishte arrritur të mbijetonte me pushtimin e Romës në Korinthin e afërt. Në mënyrë të veçantë, monedhat e zbuluara, datojnë në me epokën e perandorit romak Septimius Severus, i cili sundoi nga 193 në 211, periudha e të cili njohu rritje ekonomike. “Qytetarët duket se kanë qenë shumë të pasur,” tha Korka

Megjithatë, arkeologët përcaktuan se qyteti ndoshta ishte dëmtuar nga Visigotët (disa fise nomade të popujve gjermanikë ), midis 396 dhe 397 dhe ishte braktisur rreth 200 vjet më vonë gjatë bastisjeve sllave. Korka dhe ekipi i saj planifikojnë të vazhdojnë punën e tyre të gërmimit për të zbuluar më shumë histori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë