Menaxhim

Financat e gjelbra, Sejko: Po përgatisim rregulloren. Bankat kanë rol të madh në ndryshimet klimatike

Nga Gazeta ‘SI’ – Financat e gjelbra janë tashmë edhe në fokusin e autoriteteve monetare vendase, si thelb. Banka e Shqipërisë drejtoi sot një konferencë me këtë temë, ku  Guvernatori Gent Sejko lajmëroi se Banka po përgatit një kuadër rregullativ, për trajnime, diskutime dhe studime mbi efektet e klimës në stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar.

Guvernatori tha se sektori financiar ka një rol të madh në mbrojtjen e klimës.

“Sektori financiar luan padyshim një rol të rëndësishëm në arritjen e këtij synimi, jo vetëm përmes përzgjedhjes e financimit të projekteve të gjelbra, por edhe duke ruajtur ekuilibrin e kërkesë-ofertës në tregje. Në të njëjtën kohë, sektori financiar është veçanërisht i ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshimit të klimës”, u shpreh Sejko.

Sipas tij këtu sektori bankar mund të luajë një rol udhëheqës për kompanitë në Shqipëri në zhvillimin e qëndrueshëm, jo vetëm me fonde, por me edukime mbi investimet eco-friendly.

Ai shtoi se është koha që edhe Shqipëria, ndonëse me emetime shumë të ulëta, t’i bashkohet qëllimeve europiane.

“Ndryshimet klimatike janë një realitet i pamohueshëm, dhe pavarësisht se Shqipëria kontribuon në mënyrë të kufizuar në emetimet globale të gazrave të efektit serë, pasojat e tyre kanë filluar të japin efektin e tyre edhe në vendin tonë. Duke filluar nga bizneset e mëdha, te familjet e thjeshta, ndryshimet klimatike po sfidojnë ekonominë tonë në të gjitha nivelet, duke prekur të gjithë aktorët ekonomikë, në të gjithë sektorët dhe në të gjithë territorin e vendit. Ndërsa kapacitetet dhe taksonomia në financën e gjelbër po zhvillohen shpejt, ende ka shumë boshllëqe që kërkojnë koordinim të kujdesshëm, përshtatje të herpashershme dhe mësim të vazhdueshëm”, u shpreh Guvernatori.

Në përfundim të fjalës së tij, Sejko tha se kostot apo dëmi që do të shkaktojë mosveprimi do të jenë shumë më të mëdha se kostot që do të vijnë nga marrja e masave për të minimizuar rreziqet e ardhshme.

“Prandaj, ne kemi nevojë për politika të fuqishme, për bashkëpunim dhe inovacion. Duke punuar së bashku, mund të shkëmbejmë eksperiencat dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë dhe të qëndrueshme për të gjithë. Sistemi financiar luan një rol të rëndësishëm në këtë proces. Me përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm, le të angazhohemi sot për të pasur një ndikim pozitiv në të ardhmen e vendit dhe planetit tonë. Mos harroni se e ardhmja do të marrë formën e asaj që zgjedhim të financojmë sot”, përfundoi drejtuesi i BSH-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë