Gazeta Si – “Paratë kanë qenë gjithmonë një problem në futbollin profesionist, por tani janë bërë edhe më shumë problem”, – ka pohuar Silvan Vidmer, kapiten i Maincit në Gjermani, duke folur për politikën e klubeve arabe, që ofrojnë shuma marramendëse për të tërhequr lojtarë të nivelit të lartë në kampionatin e tyre.
Në fillim Ronaldo, më pas Benzema dhe tani Ruben Neves, Kulibali e të tjerë që po e mendojnë seriozisht kalimin në Arabinë Saudite. Por ka edhe nga ata që e mendojnë krejtësisht ndryshe këtë çështje, si Videmr.
“Duhet pasur shumë kujdes, që lojtarët të mos shtyhen para dhe prapa, si gurë dominoje. Nuk arrij ta imagjinoj të luaj në Arabi, as për 200 milionë dollarë në vit”, – ka shtuar futbollisti zviceran.

Një qëndrim ndryshe dhe që ka gjetur mbështetje te faktet, sepse janë jo pak ata që kanë refuzuar shifra të larta. Luka Modriç është i pari, duke i thënë ‘Jo’ një mega-oferte prej 200 milionësh në vit për të qëndruar te Real Madrid. Kështu veproi edhe Lukaku, që refuzoi 50 milionë në dy vjet nga Al Hilal. Së fundi edhe Olivier Zhiru nuk pranoi ofertën nga Lindja e Mesme.
Refuzimi më i bujshëm sigurisht që është ai i Lionel Mesit. Argjentinasi nuk pranoi 400 milionët në vit të ofruar nga Al Hilal dhe u transferua në SHBA, tek Inter Majemi i mikut Devid Bekham.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




