Bota

Bosnjë, nxënësi i mitur qëllon me armë zjarri mësuesen si hakmarrje për përjashtimin

Gazeta Si – Një nxënës i mitur ka qëlluar me armë zjarri në shkollën fillore në Llukavac afër Tuzllës të Bosnjë e Hercegovinës, ka konfirmuar kryetari i komunës së Lukavacit, Edin Deliç. Deliç ka bërë të ditur se ka persona të lënduar.

Sipas mediave lokale, nxënësi qëlloi mësuesen e shkollës fillore dhe më pas është vetëdorëzuar në polici.

Mësohet se i mituri ishte transferuar në një shkollë tjetër për sjellje të keqe. Ai erdhi në shkollë dhe filloi të thërriste emrin e mësueses. Kur e gjeti, qëlloi disa herë në drejtim të saj, ndërsa plaga më e rëndë është në qafë.

Një video e arrestimit është shfaqur në rrjetet sociale, ku shihet sesi policët futin të miturin në një automjet policie. Në video shihet gjithashtu se ai nuk bën asnjë rezistencë, por duket se po debaton me efektivët që po e ndalojnë.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se të shtënat në shkollë janë raportuar rreth orës 9:00 të mëngjesit.

“Personat e plagosur nga të shtënat e mëngjesit të sotëm në shkollën fillore të qytetit të Llukavacit janë transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Tuzllës”, ka thënë MPB-ja.

Qendra Klinike Universitare e Tuzllës bëri të ditur se një pacient me iniciale është shtruar aty për shkak të plagës me armë zjarri në qafë.

“Pacienti është intubuar dhe operacioni është në vazhdim”, kanë thënë nga spitali./REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë