Forumi ekonomik vjetor i Vladimir Putin që mbahet në Shën Pjetërburg, ka qenë gjithmonë një magnet për politikanët dhe investitorët globalë… deri sa ai pushtoi Ukrainën. Tani ky forum, është bërë njësi matëse për izolimin e Rusisë.
Organizuesit kanë pasur vështirësi për të tërhequr figura me rëndësi politike, sipas agjendës së programit që hapet të mërkurën, pasi edhe liderët e ish-vendeve sovjetike, po qëndrojnë larg.
Me mungesën e liderëve dhe bizneseve europiane e amerikane, forumi rus do të jetë i mbushur me zyrtarë të niveleve të ulëta nga vende që kanë qëndruar neutrale, nga Lindja e Mesme, Amerika Latine apo Azia. Ngjarja katër-ditore ofron një pamje të asaj se si Rusia duhet të rindërtojë marrëdhëniet ekonomike nën presionin e sanksioneve të vendosura nga SHBA dhe aleatët e saj.
Putin do të flasë në seancën plenare të forumit si zakonisht, u tha gazetarëve zëdhënësi i tij Dmitry Peskov.
Aty ku presidenti francez Emmanuel Macron dhe më pas kancelarja gjermane Angela Merkel ishin dikur mysafirë të profilit të lartë, vizitori më i laartë europian këtë vit është ministri i jashtëm hungarez Peter Szijjarto. Ai ka planifikuar të flasë në një panel mbi energjinë globale me ministrin venezuelian të naftës Pedro Tellechea.
Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva refuzoi një ftesë për të marrë pjesë në forum. Presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev gjithashtu nuk do të jetë atje, sipas zyrtarëve në vendin e Azisë Qendrore.
Tokayev shkaktoi bujë në ngjarjen e vitit të kaluar kur ai nuk u pajtua publikisht me pushtimin e Rusisë, ndërsa ishte ulur përkrah Putinit në skenën plenare.
Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, i cili u takua me Putinin në Kremlin muajin e kaluar, nuk ka në plan të marrë pjesë, sipas zyrës së tij.
Kryeministri kubanez Manuel Marrero Cruz do të marrë pjesë në një sesion mbi lidhjet Rusi-Amerika Latine. Ambasadori kinez në Moskë, Zhang Hanhui dhe udhëheqësi i Unionit të Sipërmarrësve Kinez në Rusi janë të ftuarit kryesorë në një panel mbi marrëdhëniet tregtare dypalëshe. Një panel mbi marrëdhëniet Rusi-Indi përfshin vetëm dy përfaqësues të biznesit indian nga 12 folësit e listuar.
Prania më e madhe ndërkombëtare do të jetë nga Lindja e Mesme, sipas programit. Ministri i Ekonomisë i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdulla Bin Touq Al Marri kryeson një grup zyrtarësh të Emirateve të Bashkuara Arabe të listuar si pjesëmarrës në një sesion mbi marrëdhëniet tregtare me Rusinë.
Manjatët rusë me gjasë do të shkojnë “me detyrim”. Shumë nga ata kishin frikë vjet të shiheshin në forumin e Rusisë, por sivjet shumica janë nën sanksione gjithsesi.
Miliarderët Oleg Deripaska, Alexey Mordashov i prodhuesit të çelikut Severstal, kryetari i Novatek Leonid Mikhelson, Vladimir Evtushenkov i Sistema dhe njeriu më i pasur i Rusisë Vladimir Potanin do të marrin pjesë. Miliarderi Vadim Moshkovich, aksioner i RosAgro Plc dhe themelues i shkollës Letovo në Moskë, e cila regjistroi rezultatet më të mira globalisht në kualifikimin e Baccalaureate Ndërkombëtare vitin e kaluar, është planifikuar të bashkohet me një sesion mbi arsimin përmes lidhjes video.
Festat madhështore me artistë globalë si Sting dhe Robbie Williams ishin një tipar i SPIEF në vitet e kaluara, ndërsa manjatët dhe kompanitë shtetërore konkurronin për të organizuar ngjarjet më të bukura. Me luftën në Ukrainë në muajin e saj të 16-të, pak parti janë planifikuar këtë herë.
Zyrtarët dhe ekspertët rusë përbëjnë shumicën dërrmuese të folësve në forum, megjithëse përfaqësues nga vende duke përfshirë Sri Lanka, Laos, Vietnam, Turqi dhe Tajlandë po marrin pjesë, sipas programit.
Udhëheqësit e Shoqatës së Bizneseve Europiane dhe Dhomës Amerikane të Tregtisë në Rusi do të marrin pjesë gjithashtu pavarësisht tensioneve midis Kremlinit dhe qeverive të tyre. Këto tensione ishin evidente në vendimin e organizatorëve të forumit për të ndaluar të gjithë gazetarët e mediave nga vendet “jomiqësore”.
Organizatorët u kujtuan gjithashtu vizitorëve të huaj në faqen e internetit të SPIEF që të sillnin dollarë ose euro me vete në Shën Petersburg, sepse sanksionet nënkuptojnë se ata nuk do të jenë në gjendje të përdorin kartat e tyre bankare në Rusi.
Burimi: Bloomberg/ Përshtati: Gazeta “SI”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



