Bota

Putin injoron Shoigun dhe Prigozhin ndez sërish konfliktin me krerët e Mbrojtjes ruse

Gazeta Si – Më shumë shenja tensioni në radhët e institucionit ushtarak në Moskë. Në Ditën e Rusisë, një festë që përkujton pavarësinë e vendit pas rënies së BRSS-së, presidenti rus Vladimir Putin vizitoi ushtarët e plagosur në Ukrainë, madje duke i dhuruar disa prej tyre me dekorata, në një takim të rrallë me ata që marrin pjesë në konfliktin në Ukrainë.

Kremlini nuk transmetoi menjëherë imazhe të vizitës në spitalin Vishnevsky në Krasnogorsk, në periferi të Moskës. “Vladimir Putin i dha dekorata personelit ushtarak dhe zhvilloi diskutime me ta”, thuhej në deklaratë.

Megjithatë, në pamjet e publikuara më vonë, shihet se si Putin shoqërohet nga ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu, por duket se i shmanget çdo kontakti me të.

Madje në disa momente, ai ia kthen shpinën dhe i shmanget takimit me shikimin e tij. Sipas disa vëzhguesve, kjo është një provë e qartë se si marrëdhëniet me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Ruse me Carin, nuk janë aspak paqësore.

Edhe një herë, lideri i grupit “Wagner”, kompania private e milicisë së drejtuar nga Putini, Evgeny Prigozhin, ka ndezur flakët, prej muajsh tashmë në një kurs të hapur me ministrin Shoigu.

Shefi i kuzhinës së Putinit, ka bërë të ditur se njerëzit e tij nuk do të nënshkruajnë asnjë kontratë me ministrin rus të Mbrojtjes, një procedurë kjo e ndjekur nga milicët çeçenë të batalionit Akhmat, besnikë të liderit Razman Kadyrov.

Prigozhin tha se “Ëagner” ishte i integruar në sistemin e përgjithshëm dhe plotësisht i nënshtruar ndaj interesave të Rusisë, por se struktura e tij komanduese shumë efikase do të dëmtohej, duke raportuar te ministri.

“Shoigu nuk mund t’i trajtojë siç duhet formacionet ushtarake”, – tha Prigozhin. Në një video të datës 5 qershor dhe të përkthyer nga komentatori ukrainas, Igor Sushko, Prigozhin shkon më tej dhe bën thirrje që Shefi i Shtabit të Rusisë, Gerasimov dhe Shoigu të pushkatohen.

Dhe ai shkon aq larg, sa të parashikojë se si do të ndodhë ekzekutimi. Prej disa kohësh, lideri i “Wagner”-it i ka akuzuar të dy jo vetëm se nuk janë në gjendje të luftojnë në konfliktin në Ukrainë, por gjithashtu i ka akuzuar për tradhti për dështimin në ofrimin e mbështetjes adekuate ushtarake për njerëzit e tij gjatë betejës së Bakhmutit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë