Futboll

Lëvizje e papritur e Kilian Mbape, klubi mund ta nxjerrë menjëherë në merkato

Gazeta Si – Një lajm i bujshëm vjen nga Franca në lidhje me sulmuesin Kilian Mbape. Sipas ‘Equipe’, ai i ka komunikuar klubit të PSG-së vendimin për të mos ushtruar opsionin e kontratës deri në vitin 2025.

Një kthesë e fortë kjo për klubin parisien. Gazeta prestigjioze franceze bën me dije se lojtari i ka dërguar një letër formale klubit, ku saktëson se në asnjë rast ai nuk dëshiron që të aktivizohet opsioni i zgjatjes së kontratës deri në 2025-ën, siç parashikohet në kontratën që i skadon më 30 qershor 2024.

Kilian Mbape me trofeun e fundit individual. Gazeta Si, 13 qershor 2023

Ky vendim i ka shtangur drejtuesit e PSG-së, që tashmë duket se janë detyruar të vlerësojnë shitjen e bomberit që në këtë sesion të merkatos, pa u futur në tratativa si herën e fundit. Për Kilian Mbape pritet një verë e nxehtë. Nëse vërtetohet lajmi i ‘Equipe’, sulmuesi do të ishte pjesa më e çmuar e merkatos së verës.

Pozicioni i lojtarit do ta vinte PSG-në me shpatulla pas murit, duke e detyruar të shohë ofertat muajt e ardhshëm për të evituar humbjen me parametra zero të xhevahirit të vet verën e ardhshme. Hipoteza e fundit nuk ishte marrë asnjëherë në konsideratë në Paris, por tani situata ndryshon.

Interesimi konkret është ai i Real Madridit, pas fundit të erës Benzema. Së fundi presidenti madrilen Florentino Perez nuk ka bërë lojë fjalësh për pozicionin e ‘Blancos’ për francezin. “A do ta marr Mbape? Po, do ta bëjmë, por jo këtë vit”, – ka deklaruar ditët e fundit numri 1 i klubit spanjoll.

Perez kishte parasysh vitin 2025, por me zhvillimet e fundit blerja e sulmuesit mund të përshpejtohet. Pas lamtumirës së Lionel Mesit dhe presingut të Al Hilal për Nejmar, PSG po përgatitet të përshëndetet edhe me Kilian Mbape.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë