Gazeta Si – Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe presidenti rus Vladimir Putin, diskutuan sot në një telefonatë situatën pas shembjes së digës Kakhovka në Ukrainë.
Lajmi është bërë e ditur nga zyra presidenciale turke, e cituar nga agjencitë ruse. Erdogan theksoi nevojën për një hetim gjithëpërfshirës për atë që ndodhi.
Nga ana e tij, Putin ka fajësuar autoritetet e Kievit për ngjarjen e rëndë të shkatërrimit të digës.
“Autoritetet e Kievit, me nxitjen e liderëve të tyre perëndimorë, vazhdojnë të vënë një bast të rrezikshëm për përshkallëzimin e armiqësive, të kryejnë krime lufte, të përdorin hapur metoda terroriste dhe të organizojnë sabotim në territorin rus. Një shembull i qartë i kësaj është shkatërrimi barbar i hidrocentralit Kakhovska në rajonin Kherson, i cili çoi në një fatkeqësi mjedisore dhe humanitare në shkallë të gjerë”.
Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky foli në telefon me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, me të diskutuan për shkatërrimin e digës dhe “pasojat humanitare dhe mjedisore të aktit të terrorizmit rus”, duke nënvizuar gjithashtu “rreziqet për termocentralin bërthamor në Zaporizhia”.
“Unë dorëzova një listë të nevojave urgjente të Ukrainës për të eliminuar fatkeqësinë”, tha udhëheqësi i Kievit.
“Zëri i Turqisë është i rëndësishëm kur bëhet fjalë për tërheqjen e trupave pushtuese nga territori ukrainas. Është gjithashtu e rëndësishme kur bëhet fjalë për kthimin e qytetarëve tanë të ndaluar ilegalisht, veçanërisht tatarëve të Krimesë dhe vazhdimin dhe zgjerimin e nismës së drithit (eksportit)”, shtoi ai.
Ndërkohë, gazeta “New York Times”, duke cituar disa zyrtarë ukrainas, raporton se diga ka shpërthyer nga brenda, një hipotezë që gjen miratimin e shumë ekspertëve duke konsideruar se një sulm artilerie ose në çdo rast nga jashtë nuk do të kishte mundur të shkaktonte një dëmtim të tillë.
Diga Kakhovka dhe hidrocentrali kanë qenë nën kontrollin rus që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



