Gazeta Si - Katër kate shtesë të një pallati 11-katësh i ndërtuar 11 vite më parë, në shkelje ligjore dhe një tender, vlera e të cilit është “fryrë” gjatë rrugës, me dëm 18 milionë lekë në vitin 2013 për shëtitoren e plazhit, janë dy akuzat e SPAK që sollën arrestimin e ish-kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Ai është në mesin e 10 personave të arrestuar, ish-zyrtarë të këtij institucioni, që akuzohen për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.
Kallëzimi i parë është ai i banorëve të një pallati në lagjen Nr.5 në Durrës, që u bë i pabanueshëm nga tërmeti i nëntorit 2019. Sipas banorëve, leja e ndërtimit ishte dhënë në kundërshtim me ligjin.
LEXO EDHE:
- 'Bild' plas përgjimet: Bosi i Shijakut Astrit Avdylaj në telefon me Vangjush Dakon
- DASH i ndalon hyrjen në SHBA Vangjush Dakos dhe familjes së tij
- Shkëlqimi dhe rënia e Vangjush Dakos
Në dosjen e SPAK, janë zbardhur shkeljet ligjore që janë kryer nga ana e ish-zyrtarëve, ku para së gjithash, Dako akuzohet për dy episode të ndryshme, nën të njëjtën akuzë, atë të shpërdorimit të detyrës.
Episodi i parë lidhet me pallatin 11-katësh për të cilin në 2020 mbi 40 familje depozituan kallëzim në SPAK, pasi objekti i tyre i ndërtuar në 2012 nga Fiqiri Farruku kishte pësuar dëme të shumta.
Hetimet e ndjekura nga Prokuroria e Posaçme konkluduan në faktin se fillimisht për këtë pallat në Bashkinë e Durrësit ishte aplikuar për 7 kate.
Pas aprovimit të lejes, kompania ndërtuese ka riaplikuar për leje tjetër ndërtimi po për të njëjtën godinë, por kësaj herë ka kërkuar që objekti të jetë 11 dhe jo 7 kate.
Ndonëse për këtë aplikim të dytë Bashkia Durrës nuk kishte aprovuar lejen, punimet me 4 kate shtesë kanë përfunduar më 2012.
Ndërkohë sipas SPAK institucioni i bashkisë ka zbardhur lejen e objektit me 11 kate rreth 2 vite më vonë, në 2014. Për këtë fakt, sipas SPAK, ka qenë në dijeni dhe ish-kryebashkiaku Dako dhe vartësit e tij të vënë në akuzë.
Nga sa më sipër, ish-kryetari i Bashkisë Durrës Vangjush Dako, Drejtori i Drejtorisë së Kontrollit dhe Planifikimit të Territorit Adhurim Qehajaj, arkitekti Ermal Lama, projektuesja Meri Semini dhe topografët Ferzilet Hajdëri dhe Adrian Bulku,. gjatë përpilimit të akteve të sipërcituara jo vetëm që kanë shpërdoruar detyrën, por nuk kanë pasqyruar në dokumentacionin tekniko-ligjor të objektit të vërtetën në lidhje me kohën kur janë bërë punimet dhe është realizuar ndërtimi, duke bërë që këto akte të jenë të falsifikuara në përmbajtje.
SPAK evidenton gjithashtu se në projekt ishte parashikuar që ashensori të zbresë deri në pjesën e garazheve, ndërtim ky që nuk është bërë.
Rasti i dytë lidhet me tenderin e shëtitores së plazhit. Sipas SPAK, shoqëria projektuese “SPHAERA” ka përfituar padrejtësisht duke i shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të bashkisë vlerën 18,318,400.2 Lekë me TVSH.
Hetimet e prokurorisë kanë zbuluar se për këtë procedurë prokurimi publik është dhjetëfishuar vlera e tenderit. Kështu në total ai i ka kushtuar arkave të shtetit 22 milionë Lekë.
Në lidhje me këtë fakt, rezulton se në bashkëpunim midis tyre, personat nën hetim Vangjush Dako, Adhurim Qehajaj, Diana Dedja, Adnan Toçila kanë konsumuar në bashkëpunim elementët e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Ish-kryebashkiaku Vangjush Dako dhe vartësit e tij do të dalin paraditen e së enjtes para Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masat e sigurisë. Aktualisht ato po mbahen në ambientet e paraburgimit në bllokun e sigurisë në Tiranë te "Mine Peza".
Të akuzuarit në dosjen e SPAK dhe masat e sigurisë
Vangjush Dako, ish kryebashkiaku i Durrsësit. Akuza: Shpërdorim detyre 2 herë. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Adhurim Qehajaj, ish drejtori i Urbanistikës së bashkisë së Durrësit. Akuza: Shpërdorim detyre dy herë dhe falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpumin. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Fiqiri Farruku, administrartor i firmës së ndërtimit Fakle Sh.p.k. Akuza: falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpumin. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Ermal Lama, Akuza: Shpërdorim detyre dy herë dhe falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Fatmir Ejupi, Akuza: Shpërdorim detyre dy herë dhe falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Adrian Bulku, Akuza: Shpërdorim detyre dy herë dhe falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Adnand Toçila, Akuza: Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Meri Semini, Akuza: Shpërdorim detyre dy herë dhe falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim. Masa e sigurisë: Arrest në shtëpi
Firzilet Hajdëri, Akuza: Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Diana Dedja, Akuza: Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Një ditë më parë, ish- kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.