Gazeta Si – Mbyllet zyrtarisht aventura e drejtorit sportiv Igli Tare te Lacio. Njoftimin e ka dhënë vetë ish-kapiteni i Shqipërisë, duke folur për ‘TG1’:
“Pas 18 vitesh eksperienca ime e bukur si drejtor sportiv i Lacio do të përfundojë. E kam marrë prej kohësh këtë vendim, por kam pritur për të mirën e klubit, që të arrinte Championsin. Jam i ndërgjegjshëm se kam ndërtuar një skuadër të fortë, me futbollistë të jashtëzakonshëm. Ka qenë një aventurë e gjatë dhe intensive, me gëzime, humbje dhe trofe”, – tha Tare.

“Nuk do të rresht kurrë së falënderuari presidentin Lotito për mundësinë që më ka dhënë, – ka vazhduar Tare, – tifozët bardhekaltër që më kanë hyrë në zemër, klubin dhe gjithë komponentët, lojtarët, stafin dhe gjithë ata që më kanë qëndruar afër në këtë rrugëtim.
Një falënderim special për familjen time. Ishte një mundësi prestigjioze si futbollist dhe si drejtues, nuk do ta harroj kurrë. Shpresoj që secili prej jush të vazhdojë me të njëjtin pasion që kisha unë ta ruajë këtë realitet të bukur. Gjithmonë forca Lacio”.
Mbetet të shihet tani zgjedhja e Igli Tares për të ardhmen. Emri i tij po qarkullon së fundi edhe te Partizani, ndoshta si konsulent i jashtëm. Në anën tjetër, ka edhe zëra që flasin se gradualisht po vjen momenti që Tare të marrë drejtimin e FSHF-së. Kostumi i zyrtarit i shkon shumë ish-sulmuesit dhe ish-kapitenit të Kombëtares.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




