Biznes

Në 2022-shin u rrit numri i bizneseve në vend, por ende larg shifrave të para pandemisë. Largohen të huajt

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë vitit 2022, numri i bizneseve aktive në Shqipëri arriti 125.222 (pa fermerët) u rrit me 5.6% nga viti 2021, raporton INSTAT. Rreth 16 mijë biznese të reja u shtuan vetëm vitin e shkuar. 

Ndonëse rritja është më e larta e 3-vjeçarit të fundit, numri i ndërmarrjeve nuk është rikthyer ende në shifrat e para pandemisë, kur numëroheshin mbi 166 mijë biznese në Shqipëri.

Sipas aktivitetit, tregtia vazhdon të drejtojë biznesin në Shqipëri duke zënë pothuajse 30% të totalit, 44 mijë të tilla.

86% e ndërmarrjeve në vend janë të vogla, 1-4 të punësuar dhe ato kontribuojnë me 22% në punësim.  Ndërsa ndërmarrjet e mëdha me mbi 50 të punësuar zënë vetëm 1.6% të totalit, por kanë 51% të të punësuarve.

Sipas vlerës, në total, bizneset në Shqipëri në 2022-shin kanë realizuar një xhiro prej 4.5 mijë miliardë lekë, 41% e së cilës ka buruar nga bizneset  e mëdha dhe 25% nga ato të vogla. Nga viti 2021, xhiroi është rritur me 1 mijë miliardë lekë.

Shpërndarja e pabarabartë e zhvillimit ekonomik në Shqipëri qartësohet akoma më shumë në shifrat e biznesit, ku 65% e tyre janë përqendruar në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.

Ndërkohë, ndërmarrjet e huaja në Shqipëri gjatë vitit 2022 janë ulur në numër, me rreth 50 subjekte të larguara. Në 2022-shin bizneset e huaja zunë 5.3% të tregut, nga 5.6% që zinin në 2021-shin. Rrjedhimisht, është ulur edhe numri i të punësuarve, nga 12.7% në 12.5%.

Ato që vijnë nga BE zënë 63% të bizneseve të huaja, kryesisht italiane dhe greke.

Në forcën e punës gratë zënë 47%, mbi 343 mijë. Ato janë kryesisht të përfshira në sektorët e tregtisë dhe shërbimeve. Gratë menaxhojnë/zotërojnë 31% të ndërmarrjeve gjithsej.

Sensibilizim të gjerë ka pasur edhe tek fermerët, ku numri i të regjistruarve me NIPT është rritur me 34% nga 2021-shi në vitin 2022, duke arritur 84.370 fermerë.  Pjesa më e madhe e tyre janë të zonës së Lushnjës, duke zënë 11% të totalit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë