GazetaSi – Presidenti Florentino Perez dhe trajneri Karlo Ançeloti janë informuar: Al Ittihad i ofron francezit një kontratë 2-vjeçare me 100 milionë euro neto në vit. Për pasardhësin spikat emri i Osimhen.
Karim Benzema është gati të lërë Real Madridin. Këtë ia ka thënë trajnerit Ançeloti, ndërsa presidenti Perez e di që prej së premtes së shkuar. Në Valdebebas do të ketë sot edhe një mbledhje tjetër, ku presidenti dhe trajneri do të përpiqen ta bindin sulmuesin të qëndrojë. Francezi joshet jo pak nga oferta arabe.

Zyrtarizimi i lamtumirës mund të vijë shpejt, ndoshta që sot pasdite, kur ‘Marca’ do t’i japë Benzemasë çmimin ‘Marca Leyenda’. Pas 14 sezonesh të mbushura me triumfe, sulmuesi duket se është bindur nga oferta fantastike nga Arabia Saudite. Një mal me euro për të lënë futbollin që vlen në moshën 35-vjeçare.
Kontrata e Benzema me Realin skadon më 30 qershor dhe sigurisht madrilenët i kanë dhënë lojtarit të drejtën të vendosë. Vendimi është në duart e tij, nga Reali nuk do ta largonin kurrë, do të donin ta mbanin përjetësisht. Por Benzema ka fituar të drejtën për të qenë zot i fatit të tij.
Benzema erdhi në ‘Bernabeu’ në 2009-ën dhe mund të ikë pas 14 sezonesh të jashtëzakonshme, fillimisht si mbështetës i Kristiano Ronaldos dhe pastaj si dirigjent orkestre, për të kulmuar me fitimin e ‘Topit të Artë’ në 2022-shin. Në Madrid Benzema ka fituar 25 trofe, mes tyre 5 Champions. Është lojtari i huaj me më shumë ndeshje në historinë e Realit, 647 ndeshje dhe shënuesi i dytë më i mirë, me 353 gola.

Me largimin e Benzema, Reali duhet të gjejë një zëvendësues në lartësinë e francezit. Nuk mund të jetë Mbape, të cilin Perez kërkon ta marrë gratis vitin e ardhshëm, as Haland, që nuk mund të shitet nga Siti. Flitet shumë për Herri Kejn, por së fundi spikat edhe emri i Viktor Osimhen të Napolit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




