Gazeta Si – Në stadiumin “Elbasan Arena” do të jepet sot trofeu i dytë i futbollit shqiptar, Kupa e Shqipërisë. Në finalen që starton në orën 19:00 kanë dalë Tirana dhe Egnatia, dy skuadra që e kanë siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës.
Tirana sigurisht që nuk vjen në gjendjen më të mirë në këtë finale, ku do të kërkojnë një lloj ‘ngushëllimi’ për të fituar një trofe. Ka mungesa lojtarësh, të cilët janë të dënuar nga Komisioni i Disiplinës, ndërsa për trajnerin Orges Shehi duhet të jetë ndeshja e fundit, para se të shkojë te Shkëndija e Tetovës.

Egnatia në anën tjetër vjen me moral të lartë, ka bërë një sezon fantastik dhe për herë të parë në historinë e saj do të luajë edhe në Europë. Javët e fundit të kampionatit stafi teknik ka ruajtur energjitë pikërisht për ndeshjen e sotme.
Pavarësisht emrit të madh të Tiranës dhe eksepriencës që kanë disa nga lojtarët e saj, finalja e sotme në Elbasan pritet të jetë e barabartë, pse jo dhe me Egnatian më të favorizuar për të shkuar te trofeu, që do të ishte historik për klubin rrogozhinas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




