Gazeta Si – Sevilja mbretëreshë në Ligën e Europës për herë të 7-të në historinë e saj. U deshën mbi 3 orë kohë për të përcaktuar fituesin e Ligës së Europës. Ka triumfuar skuadra spanjolle në finalen e Budapestit, që nisi në orën 21:00 dhe përfundoi pas mesnate. Koha e rregullt dhe shtesat përfunduan në barazim 1-1. Te penalltitë u treguan më të saktë iberikët dhe arritën të fitonin trofeun.
Portieri Bono priti penalltinë e Mançinit, kurse Ibanjez goditi shtyllën. Për Seviljen shënuan Okampos, Lamela, Rakitiç dhe Montiel. Ky i fundit e humbi penalltinë e parë, por VAR-i vendosi që ajo të përsëritej dhe në tentativën e dytë Montiel nuk gaboi, duke i dhuruar trofeun Seviljes. Ndalet këtu seria e fitoreve të Mourinjos në finale.
Spinacola ishte i pari që pati rastin të shënonte, pas një pasimi të Dibalas nga e majta, por gjuajtja e tij qendrore u ndal ngo Bono. Spanjollët tentonin më shumë me krose për të gjetur En Nesyrin. Dibala nuk gaboi në rastin e parë që iu krijua dhe e kaloi Romën në avantazh, pas një pasimi të shpejtë të Mançinit.
Sevilja reagoi menjëherë dhe Rakitiç ishte pa fat në fundin e pjesë së parë, kur goditi shtyllën. Mendilibar bëri dy ndërrime në pushim, spanjollët shtuan sulmet dhe në një prej tyre, pas një krosi të Navas, Mançini e devijoi topin në rrjetën e tij, duke fiksuar barazimin në 1-1.
Deri në fund të kohës së rregullt nuk do të kishte ndryshim rezultati, edhe pse rastet nuk munguan dhe më të pastrin e kishte Abraham për Romën, por anglezi gjeti reagimin e portierit Bono. Sevilja fitoi një penallti, që më pas u anulua nga VAR-i. Po ashtu, edhe Roma pretendoi për një penallti, për një prekje topi me dorë në zonë. Për italianët edhe Beloti pati një rast të mirë në fund.
Në shtesë dy trajnerët freskuan skuadrat. Mourinjo aktivizoi Zalevskin, pasi kishte hedhur më parë në fushë edhe Uijnaldum për Dibalën dhe Belotin për Abraham. Pastaj dhe Lorente dhe El Sharaui. Te Sevilja u futën në fushë Rekik dhe Montiel.

Shtesa në fakt i kaloi 40 minutat dhe në minutën e 131-të Sevilja ishte më shumë fat, teksa goditja e Smolling u ndal nga traversa. Më pas ishte ruleta e penalltive ajo që do të përcaktonte fituesin në këtë finale të pambarimtë. Sevilja realizoi të 4 panalltitët që gjuajti, kurse për Romën gabuan mbrojtësit Mançini dhe Ibanjez.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




