Futboll

Revolucioni te Bajerni/ Zyrtar rikthimi i Rumeniges, Eberl drejtor sportiv

Gazeta Si – Pas largimit të Kahn dhe Salihamixhiç, kthehet ish-lojtari dhe ish-drejtuesi i shquar, që do të jetë në krah të administratorit Dresen. Më shumë fuqi për Hënes, ndërsa nga Lajpcigu mund të vijë drejtori sportiv.

Kthim prapa për të ecur përpara. Bajern Mynih i sezonit të ri ndryshon jo pak, në grupin e lojtarëve, por më shumë në kupolën drejtuese. Janë shkarkuar administratori i deleguar Oliver Kahn dhe drejtori sportiv ‘Brazo’ Salihamixhiç ditën që skuadra fitoi titullin kampion.

Henes dhe Rumenige. Gazeta Si, 31 maj 2023

Administratori i ri është Jan-Kristian Dresen, deri tani drejtor financiar i klubit. Për ta ndihmuar në detyrën e re do të jetë Karl-Hajnc Rumenige, që dy vjet më parë ishte administrator. Do të ketë më shumë fuqi ish-presidenti Huli Hënes (aktualisht president nderi). Për ‘Kicker’ Hënes ka thënë: ‘Shkarkimi i Kahn ishte i paevitueshëm. Do ta largonim edhe nëse Bajerni fitonte tripletën. Vendimi ishte marrë’.

Mes këshillit administrativ të klubit dhe Kahn ka pasur tension. Ish-portieri nuk u paraqit në mbledhjen e jashtëzakonshme të këshillit dhe nuk iu përgjigj telefonatave të presidentit Hainer. Për këtë klubi e informoi Kahn me e-mail për vendimin e shkarkimit.

Rumenige zyrtarizoi rikthimin në klub, duke e falënderuar për besimin: “Jam i kënaqur që mund të ndihmoj në këtë situatë dhe falënderoj këshillin që besoi tek unë. Kam pasur fatin dhe nderin të festoj shumë tituj me këtë klub, prandaj pranova menjëherë”.

Maks Eberl. Gazeta Si, 31 maj 2023

Tani pritet edhe emrërimi drejtorit të ri sportiv, ku favorit është Maks Eberl, të cilin drejtuesit bavarezë e kanë kontaktuar. Eberl, aktualisht te Lajpcigu, ishte favorit për t’u bërë njeriu-merkato i Bajernit 6 vjet më parë, kur do të zëvendësonte Samer, por refuzoi dhe vazhdoi punën te Borusia Mënshegladbah.

“Jam i lodhur, – ka thënë Eberl më shumë se një vit më parë, kur vendosi të linte Gladbahun pasi ishte pranë një ezaurimi nervor. – Nuk ka tension dhe probleme me klubin, jam i lodhur dhe duhet të them mjaft për veten. Duhet të kujdesem për shëndetin”. Eberl është ai që mori Granit Xhakën te Borusia Mënshegladbah.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë