Menaxhim

Konkurrenca raporton në Kuvend: Bordi i naftës na limitoi hetimin. Prokurimet nuk sjellin informacion

Nga Gazeta ‘SI’ – Kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba ka qenë raportuesi i radhës në komisionin e Ekonomisë, i cili ka hapur debate mes deputetësh.

Duke folur për bilancin e vitit 2022, Biba u përball me pyetje dhe kritika lidhur me aktivitetin e këtij autoriteti.

Erjon Braçe, deputeti socialist, pjesë e komisionit të Ekonomisë i ka drejtuar disa pyetje kreut të AK-së, duke u fokusuar më së shumti në tregun e karburanteve dhe ushqimeve, për të cilat një vit më parë qeveria ngriti dy Borde.

Braçe i kërkoi Bibës t’i tregojë gjetjet nga hetimet e këtyre tregjeve duke cituar ministren e Financave, që thoshte se bordet u ngritën se nisën abuzimet nga rritja e çmimeve prej luftës në Ukrainë.

Biba tha se pikërisht Bordet e limituan aftësinë dhe mundësinë e AK-së për të hetuar objektivisht tregun e karburanteve.

“Ne nuk bëjmë avokati të ministres. Ne i kishim nën hetim karburantet para se të krijohej Bordi. Kur bordi ndërhyri mbeti shumë pak për të bërë ne. Në dy javë kohë që kishim, nuk mund të evidentonim abuzim. Objektivisht e kishim të pamundur të zbulonim shkelje. Çmimet nuk janë objekt i Konkurrencës, në shqyrtojmë sjellje që prodhojnë edhe rritje çmimesh, por edhe elementë të tjerë. Çmimet janë lojë e tregut, jo e qeverisë”, tha kreu i AK-së.

Biba shtoi se është shqetësuese oligopoli i krijuar në tregun e telekomunikacionit, rast shumë i rrallë në botë, por që Konkurrenca vazhdon t’i ketë nën monitorim.

Edhe demokratja Jorida Tabaku, i drejtoi disa pyetje kreut të Konkurrencës, që nga rastet e konflikteve të interesit dhe deri tek përqendrimi i prokurimeve publike.

Biba iu përgjigj deputetes se ka pasur dy herë konflikt interesi gjatë vendimmarrjeve dhe ai ka nuk ka marrë pjesë në to.

“Nuk ekziston si koncept ‘tregu i prokurimeve publike’. Shqetësimi është i madh, është problematik. Ne nuk kemi akses përveç se na vijnë me ankimim. I kemi kërkuar agjencisë të na sjellë çdo rast që ata e shohin me dyshim, por nuk na kanë sjellë, edhe pse kemi marrëveshje”, u përgjigj Biba.

Drejtuesi i Konkurrencës ka bërë bilancin e vitit 2022 në komisionin e Ekonomisë, duke treguar se nga ky institucion janë arkëtuar 26 mln lekë në buxhetin e shtetit.

Këto para janë arkëtuar nga gjobat që AK ka vendosur ndaj subjekteve që kanë kryer shkelje.

Në total, Biba tregon se gjatë vitit 2022, Konkurrenca ka marrë 99 vendime, 46 raste kontrolli, 11 procedura hetimore, 15 monitorime dhe 4 gjoba.

Tregjet që Konkurrenca ka hetuar dhe monitoruara gjatë vitit të shkuar kanë përfshirë ato të telekomunikacionit, naftës, hotelerisë, miellit, vajit, si edhe hetim për abuzim në disa raste në aeroportin e Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë