Futboll

Arbitrat me hematoma nga dhuna e tifozëve, Tirana rrezikon një dënim të rëndë

Gazeta Si – Ditën që duhej të ishte festë për afrimin me titullin kampion, Tirana e ktheu në një dramë të vërtetë, që mund sjellë pasoja fatale. Dhunë masive nga tifozët e saj ndaj arbitrave sapo përfundoi ndeshja me Bylisin në stadiumin e Rrogozhinës. Vetëgjyqësia e zakonshme në Shqipëri për një vendim të arbitrave të vlerësuar të padrejtë.

Të njëjtat pamje si ato të viteve të fundit në Laç dhe Kamzë. Të katër arbitrat e ndeshjes Tirana-Bylis, me kryesor Kridens Metën, janë dhunuar në stadiumin e Rrogozhinës. Ata kanë qenë me hematoma të ndryshme në fytyrë dhe në trup dhe janë shoqëruar me polici deri në shtëpitë e tyre.

Tifozet e Tiranes ne fushe sulmojne arbitrin Meta. Gazeta Si, 26 maj 2023

Pavarësisht asaj që mund të shkruhet nga arbitrat në protokoll, pamjet filmike janë të qarta për atë që ndodhi. Tirana dështoi totalisht si klub organizator dhe është logjike që të pritet një dënim i rëndë.

Është një situatë identike me rastet e njohura të dhunës në Laç dhe në Kamzë, ku u dhunuan dy arbitra me stemën e FIFA-s, Lorenc Jemini dhe Eldorjan Hamiti. Standardet kanë qenë të ndryshme në masat e marra, ku Kamza u përjashtua nga aktiviteti.

Po Tirana? Kuptohet që Komisioni i Disiplinës do të japë një dënim të rëndë, por me siguri jo deri në përjashtim, sepse është Tirana dhe jo Kamza. Në sportin shqiptar dhe veçanërisht në futboll është vepruar shpesh me dy standarde dhe kështu do të jetë edhe këtë radhë.

Tirana në anën tjetër, përveç dënimit të pritshëm, i ka prishur shumë punë vetes. Titullin nuk e ka më në dorën të saj, që do të thotë humbje e madhe edhe në apsektin financiar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë